Maqedoni
Bisedimet për qeverinë, analistët: me rëndësi platforma dhe qytetarët
01.02.2017 15:29
Presidenti, Gjorge Ivanov, duhet të ndërpresë shkeljet dhe t’ia dorëzojë mandatin liderit të partisë që ka siguruar...

Presidenti, Gjorge Ivanov, duhet të ndërpresë shkeljet dhe t’ia dorëzojë mandatin liderit të partisë që ka siguruar shumicë parlamentare për formimin e qeverisë, ndërkohë që BDI duhet të qartësojë pozicionet e saj negociuese, porositën panelistët në “Argument” në TVM2.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Bajram Pollozhani, zbulon se gjatë bisedimeve VMRO-BDI ka pasur draft për gjuhët si dhe janë ndarë edhe postet qeveritare, por nuk e di më pas se në cilën pjesë negociatat ngecën dhe gjërat nuk morën epilog konkret.
“Unë kam njohuri edhe për një draft të gatshëm për Ligjin për gjuhët, d.m.th. që e kanë pasur në tavolinë, kanë bërë skema edhe për ndarjen e resorëve, shumë afër ka qenë, por ka diçka që është dashur të shmanget disi Gruevski dhe të vazhdohet më tutje”,- deklaroi profesori i drejtës kushtetuese, Bajram Pollozhani.
Profesori universitar, Isak Sherifi, thotë se BDI duhet të jetë e vëmendshme në jetësimin e pikave të platformës në të mirën e qytetarëve e jo për të shpëtuar persona partiak nga burgu.
“Çdo tentativë e BDI-së dhe subjekteve që janë renditur rreth kësaj platforme, do të ishte shumë e dëmshme nëse këta një pikë nga kjo platformë do ta shmangnin për interesa partiake apo për të shpëtuar kokën e ndonjë politikani i cili ndiqet nga Prokuroria Speciale. Këto janë pesë shtylla, eventualisht nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, nga këto pesë pika subjektet politike shqiptare nuk duhet të hamenden dhe të bëjnë ndonjë kompromis. Çdo tentativë tjetër, qoftë me VMRO-në, qoftë me LSDM-në, unë jam i mendimit që nga këto pesë pika asnjë milimetër mos të lëvizet”,- theksoi profesori universitar, Isak Sherifi.
Ish deputeti, Abedin Zymberi, thotë se BDI mbetet e paqartë se deri ku ka arritur me VMRO-në, pa përjashtuar edhe takimin me LSDM-në.
“BDI është e paqartë, ende nuk tregon se çka i ka ofruar deri tash VMRO që nuk janë të kapshme për shqiptarët, apo se cila është edhe oferta e BDI-së ndaj VMRO-së, d.m.th. këtu nuk ka sqarime. E dyta, meqë me VMRO-në nuk ka, atëherë është dashur që të bisedohet me LSDM-në. Nëse LSDM nuk i pranon këto pika, atëherë duhet të dalë BDI dhe publikisht t’i thotë popullit se LSDM-së ia ofruam këto pika dhe nuk i pranoi. Atëherë do të jenë shumë pozicionet e qarta”,- u shpreh ish deputeti, Abedin Zymberi.
Por, publicisti, Ahmet Selmani, thotë se problem kyç është partia e Gruevskit, e cila me çdo kusht do të jetë pjesë e qeverisë, duke thelluar krizën.
“Problemi është kryekëput te VMRO-ja. Loja që është duke luajtur që në çfarëdo varianti ajo të jetë në kombinatorikat e pushtetit, unë mendoj se është një tendencë shumë e rrezikshme. Gjërat e këtilla nuk e ndihmojnë procesin e zgjidhjes së këtij problemi, por, përkundrazi, e thellojnë”,- tha publicisti, Ahmet Selmani.
Sipas analistëve, Bashkimi Demokratik për Integrim tani e tutje duhet të thirret në katër opsionet e hapura të veprimit për qeveri, meqë opsioni me VMRO-DPMNE-në u tha se nuk është i mundur. Ndërkohë që zgjidhja pa trysninë e faktorit ndërkombëtar, sipas analistëve, nuk ekziston.
MERAL ISMAILI
