Ambasada për fëmijë “Megjashi”: në vitin 2016, 111 fëmijë kanë kërkuar ndihmë

01.02.2017 15:37

Në vitin 2016 janë shtuar thirrjet për ndihmë në Ambasadën e parë të fëmijëve “Megjashi”....

Në vitin 2016 janë shtuar thirrjet për ndihmë në Ambasadën e parë të fëmijëve “Megjashi”.

Fëmijët bëhen shpesh viktima potencialë gjatë procedurës së divorcit të prindërve, është shtuar dhuna edhe ndaj fëmijëve lypës në rrugë, si dhe keqpërdorimi seksual i minorenëve.

Në raportin vjetor të Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi” theksohet edhe se në linjën e tyre të ndihmës, në vitin 2016 janë paraqitur 82 thirrje dhe 111 fëmijë kanë qenë viktima ose viktima potencial.

“33 fëmijë kanë qenë viktima potencialë të shkeljes së të drejtave të tyre. Në procesin e ndarjes së prindërve, 21 fëmijë në numrin e viktimave potencialë kanë qenë të pambrojtur ose janë ekspozuar ndaj dhunës familjare. 11 fëmijë janë ekspozuar ndaj eksploatimit  pasi kanë qenë të detyruar të lypin”,- deklaroi drejtori i Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanec.

“Nga 82 thirrje që kemi pasur në sos telefonin, 5 prej tyre kanë qenë fëmijë, 77 të rritur, prej tyre tre anonimë, pesë persona juridikë. 46 fëmijë që u janë shkelur të drejtat kanë qenë të moshës 6 deri në 16 vjeç. Sipas etnitetit, 54 janë maqedonas, tre janë shqiptarë, shtatë romë dhe 47 nuk iu dihet etniteti”,- theksoi koordinatorja e sos telefonit, Angela Manevska.

Nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi” thonë se për fat të keq edhe këtë vit varfëria është problemi kryesor me të cilin përballen edhe fëmijët, të cilët janë të kyçur drejtpërdrejt në luftën për mbijetesë të prindërve të tyre.

Me rëndësi, thonë nga “Megjashi”, është që fëmijët ta dinë se dikush i mbron të drejtat e tyre dhe kujdeset për ta. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)