Maqedoni

Sistemi elektronik i biletave, qytetarët: Donin të vinin rregull, sollën kaos; NQP: Çdo sistem ka probleme në fillim

01.02.2017 15:57

Sistemi i ri elektronik në autobusët e NQP-së një muaj pas implementimit të tërësishëm të kartelave elektronike vazhdon t’u shkaktojë revoltë dhe pakënaqësi qytetarëve...

Ata shprehen tejet të revoltuar nga pritjet e gjata para punkteve të  NQP-së, ku për blerje apo rimbushje të kartelës elektronike duhet të presin edhe nga një orë.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se sistemi elektronik në vend që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve, po bën pikërisht të kundërtën. 
 
“Ka shumë fluks. Në mëngjes isha, por nuk mbarova punë, e tani erdha sërish”,- tha një qytetar. 
 
“Nëpër punktet e tjera nuk e di se si është, por këtu pritet prej 15 deri më 20 minuta”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Para gjysmë ore erdha për të vazhduar kartelën elektronike. Prita gjysmë ore sepse kishte shumë njerëz brenda”,- theksoi një qytetare. 
 
“Pritjet janë të mëdha. Gjysmë ore e më shumë prita para punktit të NQP-së në Qendren Tregtare dhe në fund më dërguan këtu. Edhe këtu, fluks i shtuar njerëzish”,- tha një qytetar. 
 
“Nuk ka asnjë rend këtu, askush askush nuk na shpjegon asgjë, katastrofë”,- u shpreh një qytetare. 
 
Nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik justifikohen se fluksi i madh i qytetarëve është si rezultat i verifikimit të biletave mujore të udhëtarëve, që ndodh gjithmonë në fund dhe fillim të muajit. Shumë shpejt thonë se kartelat do të mund të mbushen edhe përmes internetit, ndërkohë që në autobusë mund të paguhet edhe përmes telefonave celularë.
 
Mos harroni se prej sot nuk vlen më oferta promovuese për kartelat e papersonalizuara. Kartela të reja mund të blini në të gjithë autobusët shtetërorë e privatë, por me 150 denarë sa kushton kartela përfitoni vetëm dy udhëtime falas. Pasi t’i harxhoni ato, duhet patjetër t’i rimbushni. 
 
REXHEP QAMILI