Ambasada e ShBA-ve dhe Kociançiç i përgjigjen VMRO-së: Mbesim në qëndrimin e njëjtë

01.02.2017 16:46

Nuk kemi asgjë më shumë të shtojmë në atë që tashmë e kemi thënë....

Nuk kemi asgjë më shumë të shtojmë në atë që tashmë e kemi thënë, kjo ishte përgjigjja e Ambasadës amerikane ndaj pyetjes së VMRO-DPMNE-së, që të përgjigjet publikisht nëse qëndrimi që të mos ketë zgjedhje të reja është qëndrim zyrtar i administratës Trump.

“Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e Maqedonisë, kur do të formohet, për avancimin e integrimit euroatlantik përmes zbatimit të reformave të parapara me Marrëveshjen e Përzhinës, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit’,- thonë nga Ambasada e ShBA-së.

Nga VMRO-DPMNE thonë se “është e qartë se nuk ka asnjë konfirmim se ky është qëndrimi zyrtar dhe sugjerim i administratës së re në Uashington, se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja, apo se palët në përbërjen e tanishme duhet të diskutojnë formimin e qeverisë së ardhshme".

Edhe zëdhënësja e BE-së, Maja Kociançiç, thotë se qëndrimi i BE-së është i qartë dhe ajo nuk është interpretuese e deklaratave, por vetëm prezanton qëndrimet zyrtare të Brukselit.

“Nuk jam këtu për të interpretuar, unë prezantoj qëndrimin e BE-së dhe ai është i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi. Ne bëmë thirrje për formim sa më të shpejt të qeverisë, shohim nevojë për konsesus të gjerë politik dhe një koalicion me mbështetje të gjerë për shkak të reformave dhe punëve që duhet të bëhen. I përshëndesim përpjekjet e presidentit, i cili është në kontakt me të gjitha partitë politike”,- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç.

VMRO-DPMNE nuk është e kënaqur nga përgjigja e zëdhënëses së Komisionit Europian. Kociançiç, sipas tyre, nuk tregoi se në cilën pjesë të Kushtetutës bazohet  BE, që e këshillon presidentin Ivanov që mandatin t’ia japë ndonjë lideri tjetër.

“Kocijançiç vetëm përsëriti se është i nevojshëm konsensus i gjerë dhe koalicion me mbështetje të gjerë për zgjidhjen e sfidave dhe reformave prioritare. Zonja Kocijançiç, sipas të gjitha gjasave e di se në këto 15 vite, prej vitit 2002, vetëm nga vitit 2011 dhe 2014, Qeveria e Maqedonisë nuk ka pasur me shumicë 2/3 në Parlament. Madje edhe në ato tre vitet ka arritur që nëpërmjet dialogut me opozitën të sigurojë 2/3 për ligje reformuese veçmas në gjyqësor dhe mbështetja e gjerë asnjëherë nuk ka qenë  problem”,- thuhet në reagimin e VMRO-së.

Sipas partisë së Gruevskit, problemi qëndron në mosfillimin ne bisedimeve mes Maqedonisë dhe BE-së, për të cilën dje Kociançiç përmendi në mënyrë indirekte edhe çështjen bilaterale me Greqinë.

Për zgjidhjen e saj, nuk është e nevojshme koalicioni i gjerë në parlament, por duhet që Greqia të ketë minimum vullnet politik  dhe Maqedonia mund  t’i bashkëngjitet BE-së, por para së gjithash për ndryshimin e emrit duhet prononcimi i qytetarëve nëpërmjet referendumit, thonë nga VMRO-DPMNE. (Sanije Duraku, TVM2)