Rezoluta për Shqipërinë, reforma në drejtësi çelësi i progresit

01.02.2017 17:41

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian....

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian ka miratuar me 52 vota pro draft-rezolutën e raportuesit, Knut Fleckenstein, për Shqipërinë. Reforma në drejtësi është çelësi kryesor i progresit të vendit tonë, por sipas Fleckenstein rëndësi të veçantë ka zbatimi i saj.

“Ne jemi shumë të lumtur që reforma në drejtësi ka kaluar në parlament dhe që u pranua nga Gjykata Kushtetuese, kështu që tani vjen ana tjetër e medaljes. Ne bëjmë thirrje sigurisht për të shkuar përpara, për ta implementuar reformën, sepse suksesi i vërtetë qëndron në implemetimin e saj dhe jo vetëm i shkruar në letër. Di që ka nisur një proces nën monitorimin e ndërkombëtarëve dhe jam i lumtur për këto zhvillime”,- deklaroi raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.

Sipas Fleckenstein, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mund të hapen pas zgjedhjeve të qershorit.

“Siç e kemi theksuar, nëse reforma në drejtësi nis të implementohet menjëherë, pas zgjedhjeve të qershorit mendoj se do të kemi edhe hapjen e negociatave, duke shpresuar që komisioni të jetë dakord. Monitorimi në këtë rast nuk është i nevojshëm, sepse ne kemi besim tek parlamenti dhe autoritetet shqiptare”,- u shpreh raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.

Komisioni i Jashtëm bën thirrje për dialog konstruktiv mes  qeverisë dhe opozitës për përparimin e vendit dhe reformave të integrimit. Një pikë tjetër e votuar ka qenë rinisja e gjykimit për çështjen e 21 janarit 2011, ku gjatë protestave u vranë katër persona. (Luljeta Ndoka, TVM2)