Ivanov takon liderët, Ahmeti: “Bombën” e kisha unë, ia hodha presidentit
Kreu i shtetit, Gjorge Ivanov, ka realizuar takime të ndara me liderët e partive politike....

Kreu i shtetit, Gjorge Ivanov, ka realizuar takime të ndara me liderët e partive politike të cilat fituan mandate në Kuvendin republikan. Megjithëse nuk janë dhënë shumë detaje për atë që është diskutuar, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri të qartë se tashmë ai nuk është çelësi i qeverisë së re, pasi “bombën e ka hedhur në oborr të presidencës”. Ahmeti shton se të gjitha opsionet janë të hapura.
“Unë nuk jam çelësi, isha çelësi, por çelësin e hodha tek presidenti. Tani presidenti ku do ta çojë çelësin nuk e di. Por, të jem më simbolik, “bomba” ishte te unë, e hodha në presidencë, presidenca tani ku e gjuan nuk e di. BDI, ju e dini se ka diskutuar katër ditë. Të gjitha opsionet i kemi vënë në tavolinë. Por, një ua bëj me dije juve dhe konfirmoj para jush se ne kemi vullnet të fortë që të gjendet një zgjidhje për t’i futur gjërat në binarë”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në pyetjen se a e pranon Gjorge Ivanovin si kryetar, ai u shpreh se në të kaluarën ka vepruar me zemër, tani vepron me kokë.
“Ali Ahmeti në jetën e tij vepron në dy momente. Tani veproi me kokë dhe jo me zemër”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Edhe përfaqësuesit e Lëvizjes “Besa” shkurt njoftuan se “topin” e ka parlamenti dhe cili do të sigurojë mazhorancën parlamentare ai do të formojë qeverinë.
Pa dhënë deklaratë për mediat janë larguar edhe përfaqësuesit e “Aleancës për shqiptarët”. Ivanov është takuar edhe me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atë të VMRO-së, NIkolla Gruevskin. (Naim Ramadani, TVM2)
