Botë

Amnistia për politikanët në Rumani, 250.000 njerëz në sheshe, përleshje me policinë

02.02.2017 11:00

Protestat kundër Ligjit për zbutjen e dënimeve të korrupsionit në Rumani përfunduan në përleshje të ashpra të tubuesve me policinë e dhjetëra arrestime...

Vetëm mbrëmë para kryeministrisë në Bukuresht u mblodhën rreth 150 mijë njerëz, 100 mijë të tjerë kanë mbushur edhe rrugët e 55 qyteteve dhe fshatrave të tjerë në mbarë vendin.
 
Në Bukuresht protestuesit janë përleshur me policinë. Këta të fundit kanë përdorur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të tyre, duke lënduar të paktën dy policë dhe katër protestues. I ashtuquajturi “dekreti i emergjencës” sjell dekriminalizimin e dhjetëra zyrtarëve e politikanëve të lartë të cilët kanë abuzuar me pushtetin.
 
Dekreti parashikon që të dënohen për korrupsion vetëm personat të cilët i kanë shkaktuar një dëm shtetit mbi 44 mijë euro. Një nga personat të cilët përfitojnë nga amnistia është lideri i Partisë Social-Demokrate, Liviu Dragnea, i cili akuzohet për vjedhjen e të paktën 24 mijë eurove.
 
Protestuesit gjithsesi kanë arritur të bëjnë atë që nuk e bëri dot opozita. Ata kanë arritur të shtyjnë ndryshimin e planifikuar të ligjit dhe kanë detyruar Ministrinë e Drejtësisë të organizojë një debat publik. Protestat e mbrëmshme erdhën disa orë pasi Bashkimi Europian i bëri thirrje Rumanisë të mos bëjë hapa prapa në luftën kundër korrupsionit.
 
“Lufta kundër korrupsionit duhet të avancojë e jo të zhbëhet”,- tha kreu i Komisionit Europian, Jean – Claude Juncker.
 
LEUNORA KALIQI