Botë

Yelchenko: Administrata e Trumpit kundër aneksimit të Krimesë

02.02.2017 12:02

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, plotësisht e mbështet integritetin territorial dhe pavarësinë...

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, plotësisht e mbështet integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës dhe kurrë nuk do ta pranojë aneksimin e Krimesë nga ana e Moskës, deklaroi ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Volodymyr Yelchenko.

Ai sqaroi se ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, i ka thënë atij se Shtetet e Bashkuara janë “tërësisht kundër mënyrës se si Rusia po merret me pjesën lindore të Ukrainës”.

“Ajo ka konfirmuar se pozicioni i Shteteve të Bashkuara për Krimenë është se aneksimi kurrë nuk do të pranohet”,- tha Yelchenko dhe ka shtuar se është “absolutisht i kënaqur” me përgjigjet e ambasadores amerikane lidhur me aneksimin e Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

Derisa administrata Trump mund ta shqyrtojë krijimin e raporteve më të afërta me Rusinë, “kjo nuk do të bëhet në kurriz të Ukrainës”, tha Yelchenko. Misioni i Shteteve të Bashkuara në OKB ka konfirmuar se ambasadorja Haley e ka riafirmuar mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës në takimin e saj me ambasadorin ukrainas, Volodymyr Yelchenko.