Botë
Takimi në Bruksel, Mogerini lavdëron liderët e Kosovës dhe Serbisë
02.02.2017 12:17
Shefja e diplomacisë europiane, Federika Mogerini, e vlerësoi takimin e nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, që përfundoi pak para mesnate në Bruksel...

Mogerini, e cila në fillim i priti në takime të ndara Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, dhe më pas Tomisllav Nikoliç dhe Aleksander Vuçiç, i bëri ata bashkë në një darkë pune, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian tha se është e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët.
“Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”,- tha Mogherini.
Sipas saj, dialogu Prishtinë-Beograd është i rëndësishëm edhe për rajonin edhe për Bashkimin Europian.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët për paqen dhe ecjen drejt Bashkimit Europian”,- shtoi ajo.
Liderët kosovarë dhe ata serbë, ndryshe nga takimi i 24 janarit, nuk komentuan pas takimit në Bruksel. Bisedimet e së mërkurës u përqendruan tek çështja e drejtësisë në veri, energjetika dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nuk u bë e ditur nëse është folur për prishjen e murit ilegal të ndërtuar nga serbët, prishjen e të cilit e kërkon rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila kërkonte që pushteti lokal i Mitrovicës veriore të rrënonte murin brenda muajit janar.
