Maqedoni
Rama: Shqiptarët janë faktor shtetformues në RM
02.02.2017 15:00
“Shqiptarët nuk janë minoritet, por janë faktor shtetformues”...

Kështu e ka cilësuar kryeministri, Edi Rama, gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare dhe lajmeve të publikuara në media që pretendojnë se shefi i qeverisë shqiptare ka ndikuar në “ngërçin” politik në Maqedoni. Duke folur në emisionin “Tonight” të gazetares, Ilva Tare, kryeministri Rama theksoi se duhet të ndryshojë kultura maqedonase në drejtim të shqiptarëve.
“Shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Bashkëjetesa e shqiptarëve me maqedonasit, harmonia në këtë bashkëjetesë dhe respekti i barabartë si njerëz është kyç”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama tha se shteti shqiptar respekton pluralizmin e partive, siç respekton Maqedoninë një dhe të pandashme. Në respekt të pluralizmit të tyre, ata kanë rënë dakord që disa çështje themelore që nuk janë të reja, të shpikura apo të shkruara në Tiranë, por të vulosura marrëveshjen tanimë antike të Ohrit, të vendosen në tavolinë si detyrime të përbashkëta të shqiptarëve dhe të maqedonasve për t’i implementuar, shton Rama.
“Marrëveshja e Ohrit është ylli polar i shqiptarëve dhe për një periudhë kohe, për fat të keq, ai yll polar u zbeh apo u imitua le të themi në mënyrë artificiale, duke u lënë jashtë vëmendjes në thelbin e vet. Kjo është e gjitha. Se bie dakord me njërën palë, se me tjetrën nuk ka rëndësi. Shqiptarët kanë rënë dakord për këtë platformë. Do të isha shumë i dëshiruar që të shikoja nga pala maqedonase objektivitet dhe realizëm. Shqiptarët nuk mundet më të tërhiqen në qeveri dhe pas qerres së qeverisë për ca poste e vetura. Shqiptarët meritojnë të respektohen njësoj si maqedonasit”,- u shpreh Rama.
Pala maqedonase duhet ta njohë këtë vizion dhe të angazhohet për ta mbështetur, ky është minimumi që mund të bëhet për shqiptarët. Duhet të hyjë në një fazë të re në Maqedoni. Shqiptarët atje nuk janë as bisht, as shtojcë. Shqiptarët duhet të jenë të barabartë me maqedonasit. Maqedonia për t’u integruar në NATO dhe BE ka dy sy, një janë shqiptarët dhe tjetri maqedonasit, ka shtuar kryeministri shqiptar.
LUENORA KALIQI
