Botë

Trump ia mbyll telefonin? Turnbull: bisedat tona nuk i di njeri

02.02.2017 15:26

Pas lajmit se presidenti amerikan, Donald Trump, ia ka mbyllur telefonin kryeministrit australian, Malcolm Turnbull...

Pas lajmit se presidenti amerikan, Donald Trump, ia ka mbyllur telefonin kryeministrit australian, Malcolm Turnbull, i zemëruar, siç raportohet, për shkak të një marrëveshjeje për sistemimin e refugjatëve, ka reaguar kryeministri australian.
 
Turnbull tha se marrëdhëniet në mes vendit të tij dhe ShBA-ve mbesin “shumë të fuqishme” dhe refuzoi të komentojë nëse  presidenti, Donald Trump, i zemëruar kishte ndërprerë bisedën e tyre të parë vetëm pas 25 minutave edhe pse ishte paraparë që ajo të zgjaste një orë.
 
"Është mirë që këto gjëra, këto biseda, janë kryer në mënyrë të sinqertë, të hapur dhe privatisht”,- u tha gazetarëve Turnbull.
 
Kryeministri australian për “Uashington Post” u deklarua vetëm për komentet në lidhje me qëndrimin e Trumpit, i cili kishte përshkruar marrëveshjen si më të keqen e të gjitha kohërave dhe ka akuzuar Turnbullin për kërkesën të eksportojë “sulmuesit e ardhshëm në Boston”.
 
Pakti i vulosur me administratën Obama parashikon dërgimin në Amerikë të gati 1 600 azilkërkuesve që pretendojnë qëndrimin në Australi. Qeveria e atjeshme nuk i pranon dhe i mban në qendrat “offshore” të Naurusit dhe Papua Guineas së Re.
 
Australinë e shqetëson shumë kjo marrëveshje, që nga momenti kur Trump firmosi urdhrin ekzekutiv për t’i bllokuar hyrjen në ShBA emigrantëve dhe refugjatëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.
 
LEUNORA KALIQI