Maqedoni

Dështon takimi Kosovë – Serbi, Mogherini lavdëron liderët për konstruktivitet

02.02.2017 16:14

Raundi i fundit i dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ka dështuar...

Përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Europian në dialog, Federica Mogherini, dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hir të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.
 
Por,  edhe përkundër mungesës së dakordimit, shefja e diplomacisë europiane, Federika Mogerini, vlerësoi takimin e nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, si konstruktiv. 
 
“Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët për paqen dhe ecjen drejt Bashkimit Europian”,- tha Mogherini. 
 
As presidentët e as kryeministrat e dy vendeve nuk patën prononcime pas takimit. Por, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar për sonte një takim urgjent me serbët e Kosovës, që do të mbahet në Rashkë.
 
Ne do të bëjmë çmos për ta ruajtur paqen, ndërsa nga Prishtina nuk presim asgjë”,- ka thënë Vuçiq pa dhënë detaje për takimin në Bruksel. 
 
Presidenti serb, ndërkohë, ka takuar ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe ShBA-ve, të cilët i ka informuar ata për rrjedhën e dialogut në Bruksel.
 
“Përfundimi i këtyre takimeve është domosdoshmëria e vazhdimit të dialogut për rruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për moslejimin e çfarëdo rrezikimi të sigurisë së qytetarëve në Kosovë”,- thonë nga kabineti i presidentit serb.
 
Situata është tensionuar pasi më 31 dhjetor ka skaduar afati kur pushteti lokal në veriun e Mitrovicës është dashur ta rrënojë murin ilegal, për të cilin autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk do të negocionojnë dhe se i njëjti do të rrënohet. Në pritje të rrënimit të murit ata kanë zgjedhur heshtjen.
 
Normalizimi i raporteve mes dy vendeve është kusht për rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.
 
GYLTENE SINANI