Maqedoni

Kumanovë, diskriminohen shqiptarët, këshilltarët shqiptarë braktisin seancën e këshillit

02.02.2017 16:32

Propozim-vendimi për dhënien e pëlqimit për planin vjetor për punësime në Komunën e Kumanovës dhe avancimin e kuadrove ekzistuese për vitin 2017..

Propozim-vendimi për dhënien e pëlqimit për planin vjetor për punësime në Komunën e Kumanovës dhe avancimin e kuadrove ekzistuese për vitin 2017, me të cilin parashihet punësimi i 48 kuadrove të reja, nga të cilët 31 maqedonas, 12 shqiptarë dhe 5 romë, ka shkaktuar revolt tek këshilltarët shqiptarë në Këshillin e Kumanovës.
 
Të mbivotuar nga këshilltarët e tjerë, këshilltarët shqiptarë kërkuan anulimin e kësaj pike të rendit të ditës, mirëpo meqë as kjo nuk u pranua, ata në mënyrë demonstrative braktisën seancën.
 
“Është hera e parë në vitin 2017 të thirret në këshillin komunal që të votohet programi për punësime dhe avancime të kuadrove, ne aty kishim mospajtime rreth avancimit të tyre, sepse paraprakisht nuk ishim të informuar për atë pikë dhe për të njëjtën kërkuam të tërhiqet prej rendit të ditës ose të plotësohet, nuk kishin mirëkuptim për shkak të afateve që të miratohet në seancë dhe ne si këshilltarë në shenjë revolte lëshuam seancën”,- deklaroi koordinatori i këshilltarëve të BDI-së, Ridvan Asani.
 
Se përfaqësimi i shqiptarëve në organet komunale nuk është adekuat me 30 përqindëshin e shqiptarëve në Kumanovë flasin edhe të dhënat statistikore. Nga 200 të punësuar në Komunën e Kumanovës, 137 janë maqedonas, 31 shqiptarë, 26 serb, 1 rom dhe 5 të nacionaliteteve tjera.
 
NEXHAT AQIFI