Maqedoni
Ivanov kushtëzon mandatarin e ardhshëm, Kadriu: Qasje selektive, tejkalon kompetencat
02.02.2017 16:56
Presidenti Ivanov shkeli Kushtetutën në dy drejtime, edhe atë duke tejkaluar ingerencat dhe duke diskriminuar në bazë të përkatësisë politike...

Këto janë qëndrimet e profesorëve universitarë dhe analistëve politikë pas deklaratës së fundit të presidentit se “mandati për formimin e qeverisë së re do të fitojë partia ose koalicioni që do të dëshmojë se ka siguruar 61 mandate”, por mandatari duhet të plotësojë paraprakisht dy kushte.
“Do të kërkoj nga ata që do të formojnë qeverinë e re që në programin e tyre të kenë dy prioritete kryesore, të mbrojnë interesat shtetërore, që do të thotë të mbrojnë karakterin unitar të shtetit, si dhe reforma sistematike pas krizës në të cilën do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare të Maqedonisë”,- deklaroi presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov.
Profesori universitar, Bekim Kadriu, thotë se presidenti Ivanov nuk mundet që të përcaktojë përmbajtjen e programit të qeverisë së ardhshme e assesi të kushtëzojë mandatarin e ri. Ai ka për obligim vetëm të besojë mandatin atij që do të sigurojë shumicë parlamentare, asgjë më tepër, thotë Kadriu.
“Tregon qasje skajshmërisht selektive të them në formën se njëra parti politike duhet të formojë qeveri dhe nëse nuk formon kjo parti, për të tjerat tani ka kushte plotësuese. Madje ka interpretime sikur të jetë diskriminuese në bazë të përkatësisë politike... Presidenti me atë çka e tha dje madje i tejkalon kompetencat e tij kushtetuese, duke mos e respektuar parimin e qartë të ndarjes së pushtetit. Sipas kushtetutës, Ivanov nuk ka mundësi që ai të parashohë dhe imponojë kushte të caktuara për mandatarin e ardhshëm, kjo është absurde”,- theksoi profesori universitar, Bekim Kadri.
Analisti politik, Petar Arsovski, thotë se presidenti Ivanov me qëndrimin e tij nuk ofroi dalje nga kriza, po thellim të saj.
“E futi Maqedoninë në krizë më të madhe politike. Deklarata e presidentit Ivanov tregon qartë se ai është skajshmërisht joparimor dhe sjell vendime selektive. Mendoj se presidenti Ivanov duhet të japë dorëheqje ose t’i iniciohet impiçment, pra të shkarkohet”,- u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Kadriu thotë se nuk pret që Ivanov të japë dorëheqje morale, por ai duhet të bart përgjegjësi për shkelje të kushtetues, të përgjigjet me formën e shkarkimit të tij, por kjo procedurë është e paarritshme për momentin, sepse kërkohet inicim nga kuvendi me 2 /3-tat e votave dhe vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, po ashtu me 2/3 e votave.
SANIJE DURAKU
