Maqedoni
6 kongresmenë republikanë me kërkesë: Bejli tejkaloi kompetencat, të shkarkohet
02.02.2017 17:21
Kongresmeni republikan amerikan, Kristofer Smit, paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni...

Kongresmeni republikan amerikan, Kristofer Smit, paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit, Reks Tilerson, që ta shkarkojë ambasadorin, Xhes Bejli.
Në krye të grupit nga gjashtë kongresmenë republikanë, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive të caktuara politike dhe financon projekte të fondacionit të “Xhorxh Sorosit” në Maqedoni.
Pasi Bejli nuk i është përgjigjur letrës së kongresmenëve, Smit, i cili është anëtar i Komisionit për punë të jashtme dhe kryeson me Komitetin e Helsinkit për bashkëpunim me OSBE-në, deklaroi se nevojitet hetim i thellë i aktiviteteve të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe shkarkim të ambasadorit.
“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit. Ai nuk është vend i ShBA-së, as i përfaqësuesve amerikanë në Shkup. Ne, si grup i kongresmenëve, parashtruam pyetje konkrete në këtë letër se nëse ka pasur ose jo bashkëpunim ambasada me partitë majtiste në zgjedhje. Ne nuk guxojmë të kemi rol në këtë. Duhet të jemi për zgjedhje të lira dhe korrekte dhe qasje ndaj mediave, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mbajmë anë. Ky ambasador ka mbajtur anë dhe duhet të shkarkohet menjëherë”,- deklaroi kongresmeni republikan në ShBA, Kristofer Smit.
Smit posaçërisht reagoi ndaj informatave se Ambasada amerikane është financiere serioze e aktiviteteve të organizatave joqeveritare të lidhura me Fondacionin e “Sorosit” dhe thotë se në qoftë se ShBA-ja ndan financa për aktivitete të këtilla, kjo duhet të bëhet në mënyrë neutrale dhe pa mbajtur anë politike.
BESIM ABDULLAI
