Maqedoni
Ojq ”Civil” prezantoi raportin: qindra shkelje gjatë zgjedhjeve të 11 dhjetorit
02.02.2017 17:42
OJQ “Civil” publikoi raportin mbi vëzhgimin afatgjatë të procesit politik dhe zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit në Maqedoni...

OJQ “Civil” publikoi raportin mbi vëzhgimin afatgjatë të procesit politik dhe zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit në Maqedoni, në të cilin janë përfshirë të gjitha parregullsitë zgjedhore, por edhe ngjarjet që përcollën krizën politike dhe analizën e Mrrëveshjes së Përzhinës.
Nga “Civil” thonë se kanë pranuar rreth 750 raporte për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë periudhës së fushatës zgjedhore parlamentare 2016.
“Më shumë se 2000 media janë paraqitur në ueb faqen e OJQ “Civil”, por nga puna jonë kemi 750 raporte për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë periudhës zgjedhore. Të gjitha këto raporte kanë më pak se një parregullsi zgjedhore. Kemi pasur më shumë se 1000 qytetarë që kanë qëndruar në linjë direkte me ne gjatë procesit zgjedhor”,- deklaroi kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla.
Mungesa e lirisë së shprehjes dhe presionit politik mbi mediat çojnë në disbalancim gjatë informacionit dhe Maqedonia shpeshherë ka marrë kritika për këtë nga organizmat ndërkombëtarë, përkujtojnë nga “Civil”.
“Anomalitë kryesore që i vërejtëm tek mediat në këto zgjedhje, në vend të informacionit rreth ofertës zgjedhore, analiza e asaj që ofrohet, ballafaqimi i argumenteve, fituam fushatë të dominuar nga përpjekjet për të denigruar kundërshtarët politik, defokusim nga çështjet reale dhe debate për çështje të rreme... Në vend të debatit ka pasur shumë më tepër hapësirë për propagandë njëkahëshe, të paguar ose të papaguar. Kishim edhe mungesë të debateve brenda Agjencisë për media, për servisin publik, për trysninë dhe sulmet ndaj mediave që e vërejtëm në çdo kohë, dhe rasti i Tv Sitel për agjendën e orkestruar, e cila nxiti gjuhën e urrejtjes”,- tha Petrit Saraçini nga OJQ “Civil”.
Raporti i Organizatës “Civil” përbëhet prej 200 faqesh dhe për përpilimin e tij janë angazhuar 308 vëzhgues aktivistë. Projekti është financuar nga Ambasada e Gjermanisë.
FARIJE DUATI-BAKIU
