Maqedoni
Kërkesat e Ivanov për formimin e qeverisë, BDI i rikthehet konsultimeve partiake; “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët” mbështesin Zaevin; Shilegov: Ivanov shkeli kushtetutën, rrezikon qytetarët
02.02.2017 18:45
Bashkimi Demokratik për Integrim akoma nuk ka vendosur se si do të veprojë më tutje...

Bashkimi Demokratik për Integrim akoma nuk ka vendosur se si do të veprojë më tutje pas takimit të djeshëm me presidentin, Gjorge Ivanov.
Nga kjo parti bëjnë me dije se kanë rikthyer konsultimet partiake lidhur me pozicionin e saj për formimin e qeverisë.
Qëndrimi partiak mbetet i njëjtë sikurse i disa dite më parë, gjitha opsionet mbeten të hapura, thuhet nga partia e Ahmetit.
Dy partitë tjera shqiptare, Lëvizja “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët” veç më janë prononcuar. Të dy partitë do të mbështesin Zaevin në krijimin e shumicës parlamentare.
Nga Lëvizja “Besa” thonë se dhënia e mbështetjes për marrjen e mandatit nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë.
Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se dhënia e mbështetjes për liderin e LSDM-së kushtëzohet me rregullimin e statusit të gjuhës shqipe.
Nga partia e Zaevit nuk zbulojnë se a e kanë nisur procesin e nënshkrimeve, por sigurojnë se do të formojnë qeveri.
Ata akuzojnë presidentin Ivanov se po shkel kushtetutën me kushtëzimet që i bën liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, pasi kështu rrezikon qytetarët dhe shtetin, duke e mbrojtur krimin e Nikolla Gruevskit.
“Gjorge Ivanov po shkel kushtetutën dhe ligjet dhe për këtë duhet të mbart përgjegjësi, pasi nuk ka të drejtë të bëjë diskriminime politike. Ivanov i dha mandatin Nikolla Gruevskit pa i kërkuar nënshkrimet e 61 deputetëve dhe pa vendosur kushte për programin. Andaj nuk ka të drejtë këtë ta kërkojë nga Zaev. Kjo është shkelje e patolerueshme e kushtetutës, për të cilën ai duhet të përgjigjet ligjërisht. Me një sjellje të këtillë, Ivanov qartë vihet në mbrojtje të krimit të Nikolla Gruevskit dhe vë në rrezik qytetarët dhe shtetin”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Përderisa nga LSDM thonë se Ivanov do të shkojë në histori bashkë me Gruevskin dhe formimin e qeverisë së re. Nga Lidhja Demokratike dhe PLD kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit.
MERAL ISMAILI
