MAQEDONI

Ulet numri i keqpërdoruesve të energjisë

13.05.2014 18:05

Është ulur numri i qytetarëve të cilët në mënyrë të paautorizuar shfrytëzojnë energjinë elektrike...

Është ulur numri i qytetarëve të cilët në mënyrë të paautorizuar shfrytëzojnë energjinë elektrike, njoftojnë nga EVN. Zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski, thotë se në këtë drejtim kanë kontribuar dënimet e larta të parapara në Kodin Penal.
 
“Problemi me vjedhjen e energjisë elektrike ekziston ka herë, por për dallim nga vitet e tjera, këtë vit kemi vërejtur trend të zvogëlimit të vjedhjeve, që shumica e shfrytëzuesve tanë që ndoshta  kanë planifikuar të kryejnë shfrytëzim të paautorizuar të energjisë elektrike, thjesht dënimet e larta me burg, dënimet në të holla, azhuriteti i EVN-së dhe shërbimet policore bënë që këta shfrytëzues të largojnë këtë mendim”, deklaroi zëdhënësi i EVN-së, Atanas Kovaçevski.
 
Nga EVN thonë se ekipet e tyre dhe të policisë janë vazhdimisht në teren dhe kryejnë kontrolle në vendet e matjes së energjisë.
 
Në katër muajt e parë të këtij viti, 9 shfrytëzues të paautorizuar të energjisë elektrike janë dënuar me burg, ndërsa të tjerët kanë paguar dënimin në të holla apo janë liruar me kusht varësisht nga pesha e veprës.
 
Sipas Kovaçevskit, këto masa kanë kontribuar që sa më shumë të kapen vjedhësit. Kodi Penal për këto vepra parasheh dënim me burg deri në 5 vite.
 
“Këto masa kanë kontribuar që sa më shumë të kapen vjedhësit, të gjenden vendet matëse ku ka manipulime apo vjedhje klasike të energjisë elektrike, por kuptohet ka kontribuar edhe azhuriteti i Gjykatave, pasi që janë shqiptuar 165 aktvendime gjyqësore, prej të cilave 9 janë dënime me burg vetëm për këta 4 muaj nga fillimi i vitit e deri më tani”, tha më tej Kovaçevski.
 
Nga EVN thonë se është shumë e rëndësishme që i tërë publiku të ndihmojë në zhdukjen e kësaj dukurie, duke pasur parasysh se e njëjta paraqet rrezik të madh nga zjarret dhe shpërthimet e tjera sidomos në vendet ku regjistrohet vjedhje më e madhe e energjisë.
 
FLORIJE KAMBERI