Botë

Rama në selinë e AAK-së, zemërohet Vuçiç

02.02.2017 20:07

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, është ndalur në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku është pritur nga nënkryetari i saj...

Fokusi i bisedimeve ishte ndalimi i Haradinajt në Francë, me urdhër të Serbisë. Rama tha se urdhër-arrestet serbe,  duhet të fshihen një herë e përgjithmonë.
 
“Për ne, procesi i Ramushit me përfundimin e tij, që unë me gjithë zemër uroj dhe besoj se do të jetë përfundimi që duam të gjithë, nuk është fundi, por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë tonë dhe të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të Shqipërisë dhe të institucioneve të Kosovës për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhër-arreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na shfaqet hera-herës në këto forma të cilat na kujtojnë se e shkuara është gjithmonë një kërcënim për ne por dhe na obligojnë që të vazhdojmë së bashku me mjetet e paqes dhe të demokracisë, ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme dhe të afrojmë sa më shumë te jetë e mundur të ardhmen që meritojnë fëmijët tanë", ka theksuar Rama. 
 
Kryeministri shqiptar është takuar  edhe me Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa. Dy Kryeministrat vlerësuan nivelin e bashkëpunimit dhe theksuan nevojën e vazhdimit të adresimit të çdo çështjeje që rrit mundësitë e bashkëpunimit dhe arritjen e të gjitha objektivave të përcaktuara mes dy qeverive.   
 
Vizita e Ramës në Kosovë është ndjekur me interes në Serbinë fqinje. Kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, duket se nuk i ka pëlqyer ndalesa e Ramës në selinë e AAK-së.
 
“Nëse unë do të kisha shkuar diku në rajon, për të vizituar përfaqësuesit më ekstremë të partive serbe, imagjinoni si do të reagonin Europa e bota”, citohet të ketë thënë Vuçiç për  “B92”. 
 
AAK replikoi se ajo është një parti politike e regjistruar në Kosovë e jo në Serbi, dhe se, si shtet i pavarur, Kosova nuk ka pse të pyesë Beogradin sesi të presë kryeminsitrin e një shteti sovran.