Anulohen fluturimet, mjegull në shumë akse rrugore
Për shkak të mjegullës së dendur, sot në mëngjes në aeroportin e Shkupit janë anuluar një pjesë e fluturimeve të planifikuara, ndërsa nuk është realizuar asnjë aterrim...

Janë anuluar fluturimet për Vjenë, Zagreb dhe Stamboll, ndërsa me vonesë janë realizuar fluturimet për Dortmund dhe Bruksel.
Tani për tani nuk ka aterrime, gjegjësisht është anuluar aterrimi në fluturimin e mëngjesit nga Stambolli, ndërsa aeroplanët e “Austrian erlajns” dhe “Lufthanza” nga Vjena janë kthyer mbrapsht.
Mjegull ka pasur gjatë gjithë mëngjesit edhe në shumë akse rrugore dhe shikueshmëria për shoferët është zvogëluar prej 50 deri në 100 metra.
Akset malore kanë regjime të përkohshme të ndalesës së qarkullimit për automjetet e rënda. Autoritetet shtojnë apelet për kujdes dhe të shfrytëzojnë dritat e mjegullës në çdo moment kur kjo është e nevojshme.
Ja disa këshilla nëse jeni në rrugë në kohë me mjegull: “nëse vlerësoni se nuk ka kushte për zhvillim të sigurt të komunikacionit, thjeshtë ndaleni udhëtimin ose anulojeni për një herë tjetër kur do të ketë kushte adekuate. Mos harroni t'i shkyçni dritat për mjegull kur do të dilni nga zona me mjegull, sepse në këtë mënyrë e rrezikoni sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Dhe mos harroni se për çdo kundërvajtje mund të gjobiteni deri në 35 euro në kundërvlerë të denarit".
VLORA LATIFI-TOPOJANI
