MAQEDONI

Filloi “Java e Jetimit”

13.05.2014 18:09

Për sensibilizimin e popullatës në lidhje me brengat, preokupimet dhe kërkesat e jetimit në kuadër të “Javës së Jetimit”...

Për sensibilizimin e popullatës në lidhje me brengat, preokupimet dhe kërkesat e jetimit në kuadër të “Javës së Jetimit”, Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ka ndarë panfleta me moton :”Kur jetimi buzëqesh dhe këndon, tërë botën e gëzon”.
 
Nesër pritet që për vizitë në vendin tonë të vijnë jetim nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe do të organizohen mjaft aktivitete me peshë.
 
“Jemi  në pritje që të na vijnë grupet e jetimëve nga shtetet e ndryshme të Ballkanit, i presim nga Turqia, Kosova, Shqipëria, nga Lugina e Preshevës dhe Bosnja  dhe në këtë mënyrë me ardhjen e tyre fillon edhe marshuta e qyteteve të cilat i kemi paraparë. Por njëkohësisht edhe realizimi i aktiviteteve më madhore prej tyre është ligjërata apo tribuna shkencore lidhur me çështjen e jetimëve, më pastaj kemi edhe koncertin humanitar, i cili do të mbahet në sheshin e Skënderbeut më datën 16 në mbrëmje në ora 20-00, kemi edhe koncert humanitar që do të mbahet në Kërçovë”, tha kryetari i Organizatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi.
 
Agjenda e tyre është e ngjeshur, fëmijët të cilët nuk gëzojnë dashurinë prindërore, do të kenë mundësi të kënaqen gjatë ekskursionit që do të realizohet në qytetet: Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Ohër dhe do të kenë rastin që të vizitojnë  monumente kulturore-historike të vendit dhe të njoftohen me jetimët që përkujdesen shoqatat humanitare në Maqedoni. 
 
“Besoj se kjo traditë do të vazhdojë edhe më tutje, është një traditë shumë e mirë, kështu që njerëzit për së afërmi i njoftuam me punët dhe me aktivitetet e “Kallirit të Mirësisë” pikërisht për çështjen e jetimëve. Ne i njoftojmë përderisa është e interesuar masa që kalon këtu afër, ne kemi formuar një lloj pamflete këtu, e cila i përmban të gjitha njoftimet rreth jetimëve dhe rreth Organizatës “Kalliri i Mirësisë”, u shpreh anëtari i “Kallirit të Mirësisë”, Kadri Idrizi.
 
Fushata do të zgjasë deri më 18 maj, për hollësi rreth ndihmës për  jetimët mund të njiheni te stendat e vendosura në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe vetëshërbimin “Princ”.
 
RINA TURKESHI-SAITI