Botë
Konflikti në Ukrainë, ashpërsohen luftimet në Lindje
03.02.2017 11:59
Bombardime të ashpra u kryen gjatë natës në lindje të Ukrainës, ndërsa ushtria vendase dhe rebelët pro rusë raportojnë viktima në të dyja anët e vijës së frontit...

Sipas ushtrisë, dy civilë u vranë si pasojë e predhave të rebelëve që ranë mbi qytetin Avdivkës. Një shifër të njëjtë raportuan edhe rebelët pas bombardimeve të ushtrisë mbi Donetks.
Gjatë javës së fundit, në lindje të Ukrainës përleshjet janë ashpërsuar ndjeshëm dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e dhunës që ka nxjerrë jashtë loje armëpushimin për të cilin u ra dakord në dhjetor.
Ukraina akuzon Rusinë se ka nisur një ofensivë të re, ndërsa Moska pretendon se Kievi po përpiqet të dëbojë rebelët nga pozicionet e tyre në Donetks dhe Luhanks.
Dy vendet shkëmbyen akuza të ashpra gjatë mbledhjes së emergjencës së Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua për konfliktin që u ka kushtuar jetën thuajse 10 mijë personave që prej nisjes së tij në vitin 2014.
Po në këtë mbledhje, ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley dënoi Rusinë për aktet në Ukrainë dhe i kërkoi Moskës të marrë masa për reduktimin e dhunës. Haley gjithashtu tha se sanksionet amerikane ndaj Moskës nuk do të anulohen derisa Rusia të tërhiqet nga Krimeja./Top Channel
