Maqedoni
DASH i përgjigjet VMRO-së: Përkrahim punën e ambasadorit në Shkup
03.02.2017 12:10
“Stejt Departamenti Amerikan e përkrah punën e ambasadorit Xhes Bejli”...

“Stejt Departamenti Amerikan e përkrah punën e ambasadorit, Xhes Bejli”. Kjo është përgjigja e ushtruesit të detyrës zëdhënës i Stejt Departamentit të ShBA-së, Mark Toner, pas pyetjes së VMRO-DPMNE-së nëse Ambasada në Shkup flet në emër të Administratës së re të ShBA-ve. Toner është decid se nuk ka ndryshim të politikës amerikane ndaj Maqedonisë.
“Politika amerikane në Maqedoni e përkrah integrimin euroatlantik të shtetit dhe reformat e nevojshme për zhvillim në atë drejtim. Ajo i përfshinë edhe reformat, sundimin e ligjit dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës”,- ka deklaruar Toner.
Ai konfirmon se drejtimet e ambasadorit Bejli dhe ekipit të tij janë “të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë, por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të ShBA-së”.
Stejt Departamenti Amerikan ka besim të plotë në Ambasadën e ShBA-së dhe ambasadorin Bejli. Toner gjithashtu shtoi se ShBA, si mike e Maqedonisë, fuqishëm i inkurajon të gjitha palët që ta respektojnë sundimin e së drejtës, proceset demokratike dhe obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë.
“Ne duam ta shohim Maqedoninë e fuqishme, në rrugën drejt integrimit euroatlantik”,- tha Toner.
Reagimi i Stejt Departamentit Amerikan vjen pas letrës së gjashtë kongresmenëve republikanë që kërkojnë shkarkimin e Bejlit, të cilin e akuzojnë se anon politikisht. Kongresmeni republikan amerikan, Kristofer Smit, paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni.
Ambasada amerikane tashmë është deklaruar se për punën e tyre në Maqedoni i ofrojnë informacione Byrosë për Çështje Legjislative.
