Maqedoni
ZLM në mëngjes pa ngrohje qendrore, Zeqiri: Kishim probleme me energjinë, gaz kemi
03.02.2017 13:23
Për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore, rreth 1.000 nxënës të vitit të tretë dhe të katërt...

Për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore, rreth 1.000 nxënës të vitit të tretë dhe të katërt të Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup sot ndoqën mësimin me orar të shkurtuar.
Drejtuesit e kësaj shkolle për TVM-2 informojnë se nuk bëhet fjalë për defekt në rrjetin e ngrohjes qendrore, por ndërprerja e energjisë elektrike mbrëmë ka pamundësuar aktivizimin e pompave automatike të gazit në mëngjes. Problem ka pasur vetëm ndërrimi i parë, ndërkaq gjatë ditës gjendja është normalizuar.
“Për shkak se ne ngrohemi me gaz dhe nuk jemi lidhur me ngrohtoren, por problemi është rregulluar më. Defekti është për shkak se brenda natës ishte ndalur rryma dhe motorët e ndezjes së gazit nuk janë aktivizuar automatikisht në mëngjes. Turni i dytë i nxënësve do të ndjek mësimin në rregull”,- deklaroi drejtori i ZLM-së Shkup, Faruk Zeqiri.
Autoritetet e kësaj shkolle gjithashtu informojnë se kjo shkollë nuk përballet me probleme në furnizimin e gazit në kohë dhe se në mënyrë të rregullt ata furnizohen me gazin e nevojshëm për çdo muaj.
REXHEP QAMILI
