Maqedoni
Lëvizja “Besa” dhe RDK: Mbështesim punën e ambasadorit Bejli
03.02.2017 15:06
Lëvizja “Besa” ka dalë në mbrojtje të punës së ambasadorit amerikan në Shkup...

“BESA” konsideron se “Ambasadori Bejli në asnjë rast nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij prej diplomati, ndërsa gjatë gjithë kohës ka qenë i përkushtuar në avancimin e demokracisë në vend. Për këtë arsye, “BESA” falënderon ambasadorin Bejli dhe, në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e ofruar ndaj Republikës së Maqedonisë në rrugën e saj euro-atlantike”,- thuhet në reagim.
Edhe RDK ka dalë në mbrojtje të ambasadorit Bejli. Kontributi i shtetit amerikan, nëpërmjet ambasadorëve të ndryshëm, ndaj vendit tonë është i jashtëzakonshëm dhe prandaj ne duhet t’u jemi mirënjohës përgjithmonë, thonë nga RDK.
“Kontributi i ambasadorit Bejli në drejtim të sundimit të ligjit dhe përgatitjes sa më të shpejtë të vendit për t’iu bashkëngjit strukturave euroatlantike është i pakontestueshëm dhe për këtë arsye çdo akuzë për mohim të këtij kontributi nga ana e një partie politike duhet dënuar ashpër nga të gjithë forcat progresive në vend”,- thonë nga RDK.
Edhe disa intelektualë, profesorë universitarë e analistë politikë mbështesin në një letër të hapur punën e Ambasadës së BE-së dhe ShBA-së.
“Pushteti në largim po kërkon armiq të brendshëm e të jashtëm. Këta të fundit po kërkohen mes diplomatëve dhe ambasadorëve. Pushteti filloi publikisht të kërkojë sqarime ndaj ambasadorëve me përvojë të shteteve demokratike, në rend të parë të atij të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe BE-së”,- thuhet mes tjerash në letrën e hapur.
“Qytetarët e Maqedonisë, pa dallim kombi e feje, janë përcaktuar për anëtarësim të shtetit në proceset integruese euroatlantike. Jemi të mendimit se nuk ekziston alternativë tjetër”,- thuhet në këtë letër që i është drejtuar edhe Kongresit amerikan dhe Komisionit Europian.
