Ahmeti: Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj
Kjo nuk është betejë për pushtet, por betejë për ta ruajtur vlerën kombëtare...

"Kjo nuk është betejë për pushtet, por betejë për ta ruajtur vlerën kombëtare të shqiptarëve dhe për ta hequr hijen që dashakëqijtë janë përpjekur të hedhin mbi të". Kështu ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me shefen e Misionit të OSBE në Shkup, ambasadoren Nina Suomalainen.
Ahmeti thotë se ka një fushatë tendencioze të orkestruar kundër tij dhe BDI-së në dy vitet e fundit dhe tani ka ardhur koha që e vërteta të dalë në shesh për çdo akuzë, për çdo shpifje, për çdo paqartësi dhe për çdo dilemë.
“Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet dhe të largohen kështu të gjitha dyshimet tendencioze dashakeqe mbi figurën e tij dhe të BDI-së, e drejta duhet të ngadhënjejë”,- ka shtuar Ahmeti.
Sipas tij, të gjithë anëtarët e BDI-së, bashkë me kryesinë, do t’i përmbahen parimeve të paracaktuara dhe do të veprojnë në drejtim të forcimit të shtetit dhe kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
Ai ka ftuar liderët e partive politike që t’i bashkëngjiten në apelin drejtuar policisë, ushtrisë, administratës shtetërore dhe të gjithë qytetarëve që të punojnë me përpikëri dhe qetësi, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit shtetëror.
Ahmeti gjithashtu fton miqtë ndërkombëtarë që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve në vend dhe të vijojmë ta ndërtojmë shoqërinë së bashku si në 16 vitet e kaluara.
“Ne do të mbetemi kontribuues për mirëqenie shoqërore dhe insistues të denjë të integrimit euroatlantik, reformave në vend dhe rrumbullakimit të Marrëveshjes së Ohrit, sepse këto shtylla e bëjnë vendin më të fortë”,- ka deklaruar Ahmeti në takimin me ambasadoren Suomalainen.
