MAQEDONI

Mungon kuadri shqiptar për shkencat egzakte

13.05.2014 18:17

Qeveria në kuadër të përcaktimeve të saj strategjike për përmirësimin e cilësisë së arsimit...

Qeveria në kuadër të përcaktimeve të saj strategjike për përmirësimin e cilësisë së arsimit, e përcaktoi numrin e vendeve të lira në universitetet publike në Maqedoni.
 
Gjatë përcaktimit të vendeve të lira, të cilat do të financohen nga buxheti, kujdes të veçantë i është kushtuar profesioneve të cilat janë deficitare në tregun e punës dhe në bazë të analizave paraqesin profesione të cilat do të jenë aktuale dhe të kërkuara në të ardhmen, theksojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
 
Rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe regjistrimit në  fakultetin  e shkencave matematiko-natyrore, ku interesimi i shqiptarëve është tejet i dobët dhe vite të tëra ka mungesë të kuadrove të shkencave ekzakte, theksojnë punonjësit arsimor dhe nxënësit, të cilët konfirmojnë se në mungesë të kuadrit në disa shkolla shqipe mësimin e zhvillojnë profesorët maqedonas.
 
“Është evidente se kemi mungesë të shkencave të kuadrove natyrore, posaçërisht të matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, ne kërkojmë dhe apelojmë te nxënësit, të cilët kanë aftësi të orientohen në këto drejtime, të vazhdojnë drejtime profesionale”, theksoi fizicienti Artan Fejzullahu.
 
“Unë konsideroj se në të ardhmen do të hapen kompani të reja në Maqedoni, andaj ne duhet të sigurojmë kuadro të cilat do të jenë konkurrent në tregun e punës. Të gjitha profilet nga shkencat teknike janë më se të nevojshme për shoqërinë tonë”, tha pedagogia Biljana Peshkova.
 
“Unë do regjistrohem në farmaci pranë USHT-së, sepse dihet drejtimi është deficitar, nuk ka kuadro të nevojshme dhe në këtë mënyrë më lehtë do të punësohem”, u shpreh një nxënës.
 
Të gjithë nxënësit e interesuar për vijimin e arsimit sipëror, vendet e lira për vitin akademik 2014- 2015 do t’i gjejnë në ueb-faqen: mon.gov.mk.
 
FLUTURA LATIFI