Botë
Stoltenberg: KFOR-i mbetet në Kosovë për të siguruar paqen; Mustafa: provokimet e Serbisë do t’i tejkalojmë me dialog
03.02.2017 17:02
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Prishtina, ka shprehur mbështetje për stabilitetin e Ballkanit dhe Kosovës...

Pas takimit me kryeministrin, Isa Mustafa, Stoltenberg i siguroi qytetarët e Kosovës se KFOR-i do të mbetet në Kosovë për të siguruar paqen për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
“NATO është në Kosovë. NATO e ka forcën e vet, KFOR-in këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Europë”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Njëherit, Stoltenberg u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe atyre në Beograd që të vazhdojnë dialogun në Bruksel.
“NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Europian. Ky dialog tani është rikthyer me mbajtjen e dy raundeve brenda dy javësh dhe unë e mirëpres këtë fakt”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg nuk ka dashur të ndalet te përpjekjet ruse për shtrirjen e ndikimit në rajon, por ka rikujtuar se kjo pjesë e Europës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n.
Nga ana tjetër, kryeministri, Isa Mustafa, tha se institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara për dialogun me Serbinë, që të tejkalohen tensionet aktuale.
“Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, mirëpo përkundër kësaj qasje, ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i tejkalojmë me paqe”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Gjatë vizitës në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, komandantin e KFOR-it, gjeneral majorin, Giovanni Fungo, trupat e KFOR-it në Kosovë, si dhe përfaqësuesit tjerë europianë.
SANIJE DURAKU
