Maqedoni

Protesta kundër EVN-së në Tetovë, qytetarët me ultimatum për tre kërkesa; Reagon EVN: çmimin e përcakton KRRE, faturat edhe në shqip

03.02.2017 17:55

Kanë vazhduar protestat kundër EVN-së në Tetovë. Protestuesit i kanë dhënë ultimatum EVN-së...

Kanë vazhduar protestat kundër EVN-së në Tetovë. Protestuesit i kanë dhënë ultimatum EVN-së që brenda javës t’i plotësojë 5 kërkesat e tyre, në të kundërtën do t’i radikalizojnë protestat.  
 
“Kërkesa jonë e parë është që faturat të vijnë në gjuhën shqipe, e dyta të largohet 33%, e treta pse ne duhet të paguajmë 520 euro për një orëmatës pse ne jemi shfrytëzues të EVN-së, ne rrymën e paguajmë po orën pse, dhe paushallin ta largojnë”- tha një protestues. 
 
“Në Maqedoninë Lindore nuk paguajnë 500 euro për t’u lidhur me rrymën, kjo vetëm tek shqiptarët ndodh, prej në Bojanë të lartë EVN-ja funksionon, kurse poshtë as rrymë nuk paguajnë”,- u shpreh një protestues.
 
“Maqedonasit që janë këtu paguajnë 1200 denarë, ne paguajmë 60 euro, 70 euro rrymë”,- theksoi një protestues.
 
“Rrymë nuk kemi siç duhet, unë kam 154 volt rrymë në shtëpi, por paguaj për 220 volt. Faturat e shqiptarëve vijnë shumë më shtrenjtë, kurse maqedonaseve shumë më lirë”,- potencoi një protestues.
 
Nga EVN thonë se çmimi i energjisë dhe i kyçjes në rrjet janë në kompetenca të trupave rregullatorë, e jo të EVN-së.
 
“Faturat, - thonë nga EVN, - tanimë 5 vite lëshohen edhe në gjuhën shqipe për cilindo konsumator që bën kërkesë për një gjë të tillë në EVN. Sa i përket fuqisë së energjisë, ajo më nuk shënohet në fatura”,- potencojnë nga EVN.
 
Sipas tyre, për secilën kërkesë të qytetarëve ata janë të gatshëm të diskutojnë veç e veç për tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe nuk ka nevojë për protesta, aq më tepër jo protesta të organizuara nga ish të punësuar në EVN, ndaj të cilëve vetë qytetarët kanë dorëzuar ankesa për manipulime dhe mashtrime.
 
Nga EVN hedhin poshtë edhe akuzat për presion ndaj njerëzve të caktuar që janë pjesë e protestës.
 
VISAR SADIKI