Maqedoni
LSDM: po punojmë në krijimin e shumicës; BDI: vendimi në parti, pastaj kontrata politike; “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët”: do t’i japim firmat për marrjen e mandatit nga Zaev
03.02.2017 18:40
Pas vendimit të kreut të shtetit se do t’i japë mandatin atij i cili do të dëshmojë se ka siguruar 61 firma...

Pas vendimit të kreut të shtetit se do t’i japë mandatin atij i cili do të dëshmojë se ka siguruar 61 firma nga deputetët e mandatuar në kuvend, nga LSDM nuk japin shumë detaje lidhur me angazhimin e tyre për mbledhjen e nënshkrimeve.
Nga kjo parti thonë se janë duke punuar në këtë drejtim, por pa precizuar afate kohore.
“LSDM po punon për një zgjidhje të shpejtë dhe efikase për të siguruar formimin e qeverisë. Qytetarët të mos shqetësohen. Ndryshimet për të cilat votuan më 11 dhjetor shpejt do të pasojnë”,- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.
Në BDI thonë se kjo nuk është thjesht çështje nënshkrimesh, por çështje e nënshkrimit të një kontrate politike.
“Ne nuk mund ta zbresim procesin në nivel të mbledhjes së firmave, por në nivel të marrëveshjes politike që mund të arrihet ndërmjet partive politike që kanë fituar në zgjedhje. Tani procesi i konsultimeve në BDI vazhdon, nuk janë shterur për pesë opsionet e mundshme të cilat i kemi shtruar për debat, ashtu që në momentin kur ne do të sjellim ndonjë vendim, ajo nuk do të jetë çështje nënshkrimesh, por do të jetë çështje e marrëveshjes politike për cilën do nga pesë opsionet e mundshme”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI.
Lëvizja “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët” tashmë kanë publikuar qëndrimin e tyre. Ata thonë se me firmat e tyre do të mbështesin LSDM-në, ndërsa bisedimet për qeverinë do t’i zhvillojnë vetëm pas mandatimit të tyre.
“Si Lëvizje “Besa” kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi të gatshëm të mbështesim ndonjë iniciativë të LSDM-së për formimin e shumicës parlamentare, mirëpo kjo mbështetje nuk do të thotë që ne do të jemi edhe pjesë e qeverisë së ardhshme ose nuk do të jemi. Atë e lëmë në pjesën pasi ta merr mandatin. Aktualisht jemi në kontakt me LSDM-në, mirëpo deri në këtë moment nuk kemi ndonjë kërkesë konkrete ose ndonjë kërkesë për takim ku do të ishte iniciuar mbledhja e firmave për formimin e kësaj shumice parlamentare”,- theksoi Orhan Murtezani nga Lëvizja “Besa”.
“Pas takimit te kryetari që e patëm me krerët e “Aleancës për shqiptarët” nuk kemi pasur ndonjë ftesë për t’i dhënë firmat e deputetëve tanë. Ne e kemi thënë disa herë se jemi të gatshëm për t’i dhënë firmat, por jo për ta formuar qeverinë, por për ta pasur mandatin dhe pas asaj të ulemi dhe të merremi vesh, duke u bazuar gjithnjë në platformën shqiptare”,- u shpreh Arben Taravari nga “Aleanca për shqiptarët”.
Ditë më parë liderët e partive politike takuan kreun e shtetit, Gjorge Ivanov.
Ky i fundit kërkoi të mandatohet kandidati që do të arrijë të sigurojë nënshkrimet e 61 deputetëve.
Ai po ashtu kërkoi që mandatari paraprakisht t’i dorëzojë një program i cili do të parashohë dy kritere: ruajtjen e karakterit unitar të vendit dhe reforma sistematike pas krizës ku do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare.
NAIM RAMADANI
