MAQEDONI
Përmirësohet infrastruktura në Saraj
13.05.2014 18:21
Komuna e Sarajit në bashkëpunim me ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”...

Komuna e Sarajit në bashkëpunim me ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”, prej disa ditësh kanë filluar punimet për rikonstruimin e rrugës rajonale 402, Saraj-Bojanë.
Realizimin e punimeve e përcollën sot kryetari i Sarajit, Bekim Murati dhe drejtori i ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu, të cilët theksuan se punimet në këtë arterie të rëndësishme rrugore për këtë komunë do të përfundojnë së shpejti.
“Bëhet fjalë për një rikonstruim më të madh të kësaj rruge rajonale, e cila është arterie që frekuenton dhe lidh mbi dhjetë fshatra të komunës së Sarajit. Ky intervenim realizohet falë angazhimit të të gjithë ministrave shqiptarë dhe për këtë rikonstruim më serioz Qeveria e Maqedonisë me programet për vitin 2014 ka ndarë diku rreth shtatë milion denarë. Do të bëjmë çmos që ky projekt të përfundojë deri në meremetimin e plotë. Dëshiroj të potencoj se ky është një ndër intervenimet më serioze, një ndër rikonstruimet më serioze që është bërë ndoshta 20 vitet e fundit”, deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” po punon në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në disa komuna shqiptare, thekson drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Gajur Kadriu.
“Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” është aktive jo vetëm në këtë pjesë regjionale ku tregon aktivitetet dhe punën në teren, por gjithashtu në mbarë territorin ku shtrihet popullata shqiptare, kanë parë çdo dit, çdo muaj aktivitet e shtuara të kësaj ndërmarrjeje, e cila ka punuar në regjionin në komunat e ndryshme si në Tetovë, Tearcë, Shemshovë etj. Këto ditë do të fillojnë punimet edhe në rrugën magjistrale në hyrje të Gostivarit, ku do të rikonstruohen disa kilometra dhe ndërkohë do të fillojnë punimet edhe në Kërçovë”, u shpreh drejtori i ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.
Njëherit u paralajmëruan edhe investime tjera në përmirësimin e infrastrukturës në Saraj.
GYLTENE SINANI
