Botë
Tiranë, Lu u kundëpërgjigjet akuzave të Llallës
03.02.2017 20:51
Situata politike dhe diplomatike në Shqipëri nuk është aspak e qetë...
Kur nuk është zbehur akoma zhurma e krijuar nga shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, Ambasada amerikane në Tiranë është përplasur ashpër me prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke e akuzuar se po punon kundër reformës në drejtësi.
Por, kur askush nuk e priste, institucioni i kryeprokurorit foli për shantazhe sorosiane në drejtim të tij, duke thënë madje se ambasadori Lu e ka kërcënuar për disa çështje të caktuara.
Një ditë para hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ambasadori e ka thirrur kryeprokurorin duke i komunikuar se ia refuzonte vizën për në ShBA bashkë me disa gjyqtarë e prokurorë të tjerë. Kjo gjë është parë nga prokurori i përgjithshëm si manovër për të ushtruar presion për zgjedhjet e 9 anëtarëve të institucionit të ri të drejtësisë.
Mesditën e sotme Ambasada amerikane ka publikuar një deklaratë ku thotë: asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës nuk do të na pengojë! Ndërsa po në mesdite është betuar ministri i ri i Drejtësisë, Petrit Vasili.
Nga analistët, lëvizjet e fundit politike shihen si tentativë të fundit për të shpëtuar zyrtarët e korruptuar, para se reforma në drejtësi të nisë zbatimin konkret.
LULJETA NDOKA
