Arrihet marrëveshja për murin në Mitrovicë
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se është arritur marrëveshja...

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se është arritur marrëveshja për hapat që do të ndërmerren në lidhje me murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.
Aty thuhet se është arritur “një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”.
Kurse gjatë ditëve në vijim, bëhet e ditur se do të njoftohet edhe publiku me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën.
Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej.
Me qëndrim për rrënimin e tij ishte paraqitur edhe Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute.
Tani marrëveshja thuhet se është arritur, por nuk janë bërë të qarta të gjitha detajet se si do të veprohet.
