MAQEDONI

PDSH me degë të re në Strugë, Sela nuk ndalet

13.05.2014 18:25

Formimi i degës së re të PDSH-së në Strugë, aspak nuk ndikon që kryetari i kësaj komune, Zijadin Sela...

Formimi i degës së re të PDSH-së në Strugë, aspak nuk ndikon që kryetari i kësaj komune, Zijadin Sela, të tërhiqet nga qëndrimet e tij të deritashme, për të punuar në drejtim të ndryshimit të strukturës udhëheqëse të PDSH-së.
 
Sipas informatave jozyrtare të TVM2, struktura e deritashme e degës së kësaj partie në Strugë, po punon edhe në ringjalljen e sërishme të degës me anëtarët e saj, të cilët ishin fitues të zgjedhjeve lokale në Strugë. Madje profesori universitar, Mersel Bilalli,vlerëson se  tentativat e liderit Menduh Thaçi për ta devalvuar Selën, japin kundër-efekt dhe i forcojnë më shumë pozicionet e tij për të dalë edhe me iniciativë të re politike.
 
“Unë mendoj se një kanonadë të etiketave dhe diskualifikimeve në mënyrë të orkestruar që ia drejtoi kryetarit të Komunës së Strugës, duke menduar se do ta devalvojë, që do t’ia marrë fqinjët që ai të bëjë një subjekt të ri, përkundrazi efekti është i kundër, efekti është se vetëm e forcoj pozicionin e tij dhe i arsyetoj argumentet e tij, që të bëjë një subjekt të ri. Jam i mendimit se këto loja politike partiake janë të karakterit të thjeshtë intelektual dhe për mendimin tim nuk do të jetë befasi sikur kryetari i Komunës së Strugës del me iniciativë të re qoftë në kuadër të subjektit ekzistues ose marrjes së infrastrukturës nga ajo, alternativë tjetër për atë parti së paku në të ardhmen e afërt unë nuk shoh”, deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.
 
Analisti Bilalli nënvizon se struktura e cila nuk ka fituar asnjë lloj zgjedhjesh gjer më tani, nuk ka asnjë lloj kredibiliteti moral dhe politik që të vazhdon dhe të qëndron në opozitë.
 
“Kështu që ne nuk kemi as opozitë, ajo i ngjason një OJQ-je joserioze dhe gjithë ajo nuk është problem vetëm i atyre, por edhe problem i interesit të përgjithshëm, pasi nuk kemi opozitë, atëherë nuk do të kemi komoditet në pushtet. Unë mendoj se ai duhet t’i harxhon të gjitha angazhimet për zgjidhje institucionale të problemit që është shumë pak i pritur, duke e ditur formën se si funksionon kreu i asaj partie, por të paktën ai e ka obligim për hir të opinionit dhe rregullsisë institucionale apo normësore-statutore që atë ta bëjë. Pasi ta përfundojnë atë si të “pasuksesshme”, atëherë jam i mendimit që ai t’i qaset ndonjë subjekti të ri me ndonjë shtojcë, që do të asocon në subjekt dhe të fillojë t’i thithë degët, nëndegët dhe anëtarësinë”, tha më pas Bilalli.
 
Sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, anëtarësia e PDSH-së për momentin është shumë e dëshpëruar nga mosfitorja e vazhdueshme e këtij subjekti në ciklet zgjedhore të deritanishme.
 
MEFAIL ISMAILI