Rumani: Social Demokratët mund ta pezullojnë dekretin që nxiti protesta

04.02.2017 21:31

Subjekti politik në pushtet në Rumani, Partia Social Demokrate....

Subjekti politik në pushtet në Rumani, Partia Social Demokrate po kërkon zgjidhje për dalje nga kriza e cila u nis pas miratimit të një dekreti qeveritar që hiqte nga Kodi Penal disa akuza për korrupsion.

Lajmi është bërë i ditur nga udhëheqësi i partisë, Liviu Dragnea. Komentet e tij janë bërë në kohën kur në Rumani po mbahen protesta masive kundër asaj që demonstruesit vlerësojnë se është dobësim i ligjeve kundër korrupsionit. Dragnea, i cili pritet të mbaj takim me figurat kryesore të partisë për këtë çështje ka thënë: “Mund të ketë bisedime edhe për tërheqjen e dekretit nëse këtë e dëshiron kryeministri”.

Megjithë protestat disa ditore në Bukuresht, dhe qytete të tjera, qeveria deri më tash nuk ka pranuar ta pezullojë dekretin e miratuar më 31 janar.

Më 3 shkurt, policia rumune ka thënë se nëpër rrugët e qyteteve të Rumanisë kanë protestuar një çerek milioni njerëz. Dekreti lejon që të evitohet dënimi me burg për zyrtarët e përfshirë në marrje ryshfeti, kur vlera nuk kalon 47 mijë e 500 dollarë. Dekreti është miratuar gati një muaj pasi qeveria social demokrate e kryeministrit Sorin Grindeanu e ka nisur punën.

Presidenti Klaus Iohanis, e ka kundërshtuar kryeministrin, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria thotë se masa e miratuar ka qenë e nevojshme që Rumania të përshtatet me direktivat e Bashkimin Evropian.

Vendet perëndimore si Gjermania dhe SHBA-ja, kanë shprehur shqetësim për dekretin emergjent që është miratuar nga qeveria.