MAQEDONI

Ahmeti takoi ambasadorin e OSBE-së, Breth

13.05.2014 18:34

Gjatë takimit të sotëm me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, ambasadori i OSBE-së, Ralf Breth...

Gjatë takimit të sotëm me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, ambasadori i OSBE-së, Ralf Breth, theksoi se OSBE-ja ka gatishmëri për të bashkëpunuar me autoritetet vendore në tejkalimin e pikave që janë shënuar në raportin e organizatave ndërkombëtare mbi zgjedhjet.
 
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, potencoi me këtë rast se partia që ai drejton, gjatë koalicionimit me partinë fituese të zgjedhjeve në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE-në, ka vendosur që të përqendrojë forcat në arritjen e përparimit në një pikë të vetme deri në fund të këtij viti, e ajo është integrimi euroatlantik.
 
Ky vendim erdhi pasi BDI vlerëson se vizioni është me i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit, sesa postet apo pozicionet. Ky përqendrim kontribuon në paqe, stabilitet dhe është para së gjithash interes shtetëror, u potencua në këtë takim. 
 
BDI është parti që ka guxim politik për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe të rajonit, ka potencuar Ahmeti. 
 
Lideri i BDI-së ndërkohë ka hedhur poshtë të gjitha hamendësimet në media për kërkesat e BDI dhe ndarjen e posteve qeveritare bashkë me përfoljen e të gjitha emrave.
 
Sipas tij, palët po diskutojnë rreth harmonizimit të platformave dhe përpilimit të programit të përbashkët qeveritar, ndërsa ndarja e pushtetit dhe parimet e funksionimit të koalicionit do të diskutohen në fund.
 
Por, nga të gjitha këto faza, për BDI-në më me rëndësi është pika e parë e marrëveshjes që vë theksin në integrimin euroatlantik të vendit, në vigjilje të samitit të NATO, raportit të përparimit për Maqedoninë nga ana e Komisionit Evropian për Zgjerim, si dhe samitin e vendeve anëtare të BE-së, ka potencuar Ahmeti. 
 
Gjithashtu, kryetari Ahmeti kërkoi nga misioni i OSBE-së që të vijojë me monitorimin e afërt të gjykimit për rastin “Monstra”, në mënyrë që të gjitha palët të sigurohen për një proces të drejtë dhe fer, të bazuar mbi dëshmi të qëndrueshme.
 
Ambasadori Breth siguroi Ahmetin që misioni i OSBE-së vijon të ndjek gjykimin dhe elaboroi mbi ecurinë e deritanishme, përfshirë edhe pamundësinë e qasjes në dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur.
 
ZEJXHANE OSMANI