Rrënohet muri në Mitrovicë, Mustafa e quan zgjidhje të problemit të brendshëm

05.02.2017 18:36

Është rrënuar muri ilegal i ndërtuar nga autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut....

Është rrënuar muri ilegal i ndërtuar nga autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut.

Dy ekskavatorë të një kompanie ndërtimore, kanë bërë rrënimin e murit afër lumit Ibër.

Rrënimin e murit e kanë përcjellë disa qytetarë, shqiptarë e serbë, kurse gjendja gjatë gjithë procesit të kryerjes së punimeve, ka qenë e qetë.

Kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka thënë se pas rrënimit të murit, pjesa e sheshit do të ndërtohet në përputhje me ligjet dhe planet.

“Krejt ajo çka kemi bërë, është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euro-atlantike. Nuk kemi pasur asnjë garë force, nuk kemi manifestuar populizëm, e as folklorizëm. Mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuarmetodat dhe mënyrat më të mira demokratike. Komuna ka vepruar sipas marrëveshjes” – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, derisa po rrënohej muri, ka thënë se “kjo gjë tregon se të dy palët mund të arrijnë marrëveshje kur ka dëshirë politike”.

 “Mendoj se është një shenjë shumë e mirë e cila tregon se kur egziston dëshira të dy palët të arrijnë marrveshtje dhe shpresoj se me të njejtën zgjuarsi politike do të vazhdojnë të zgjidhin edhe problem të tjera, që mund të ndodhin në një të ardhme të afërt dhe ne do ti mbështesim.Jam duke shikuar, gjithashtu, për fillimin e diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me të njëjtin përkushtim që patëm për largimin e këtij muri. Unë shpresoj se do të kemi rezultate të mira” – tha shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Ajo, gjithashtu, ka falënderuar faktorin ndërkombëtar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë kohës së punimeve për largimin e murit.

Shefja e BE-së nuk ka caktuar se kur do të përfundojnë punët e projektit për rivitalizimin e urës, por, siç është shprehur ajo, “Ura e Ibrit do të jetë ura më e bukur në Kosovë”.