MAQEDONI

BDI: Në gjashtë muajt e parë, të përqëndruar në integrime

13.05.2014 18:41

Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet e plasuar nëpër media për ndarjen e resorëve dhe çështjet kadrovike...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet e plasuar nëpër media për ndarjen e resorëve dhe çështjet kadrovike.
 
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se për momentin bisedimet mes partive fituese në këto zgjedhje janë koncentruar në harmonizimin e platformës dhe harmonizimin e parimeve të bashkëqeverisjes.
 
Osmani thekson ngulimin e BDI-së për zhbllokimin e procesit eurointegrues, që ishte edhe arsyeja kryesore që partia e Ahmetit kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
“Jemi përcaktuar që në gjashtë muajt e parë të kësaj qeverisje, bashkëqeverisja të jetë tematike, ose të ketë një pikë në rend të ditës dhe ajo të jetë debllokomi i integrimeve dhe ajo të jetë integrimi në NATO dhe BE. Kemi një mundësi historike që në shtator të bëhemi anëtare e NATO-s, kjo mundësi natyrisht nuk është 100%, por 100% do të jetë jo nëse BDI nuk do të jetë pjesë e institucioneve. Nuk mund të rrezikojmë këtë mundësi historike që ka Maqedonia, një rezultat i përpjekjeve të pafund të BDI-së në këto shtatë vite, për të debllokuar integrimin, ashtu që i kemi dhënë një shans këtij procesi deri në shtator në samitin e NATO-s dhe raportin e progresit të BE-së”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Integrimi i vendit mbetet prioriteti mbi prioritete, thotë Osmani, pasi partia blu vlerëson se ky është bazamenti për çdo përpjekje tjetër për avancimin e çështjeve të tjera dhe të ardhmen e qytetarëve.
 
“Bashkë me Shqipërinë, bashkë me vendet e tjera të rajonit ta bëjmë Maqedoninë pjesë e civilizimit perëndimor, e ombrellës së sigurisë që e ofron NATO, duke pasur parasysh të gjitha lëvizjet gjeostrategjike që po ndodhin në botë kohëve të fundit. Për ne është prioritet kryesor që Maqedoninë dhe shqiptarët e Maqedonisë t’i rendisim në rendin atje ku ata takojnë. Ashtu që të gjitha kompromiset në drejtim të integrimit në NATO, ne jemi të gatshëm t’i bëjmë”, u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
BDI pohon me vendosmërinë më të madhe se nuk do të tërhiqet as  nga premtimet e dhëna dhe nga platforma zgjedhore. Por, vazhdimi i bashkëqeverisjes do të varet nga epilogu i samitit të NATO-s dhe raporti i progresit të KE-së për Maqedoninë.   
 
SHPËTIM NUREDINI