Botë
Protesta, gjysmë milionë rumunë në rrugë, kryeministri: nuk dorëhiqem!
06.02.2017 13:29
Përkundër tërheqjes së dekretit nga qeveria, rumunët kanë mbushur edhe mbrëmë rrugët, ku protestuan më shumë se gjysmë milionë njerëz...

Ata hidhnin parulla për “dorëheqje” dhe valëvitnin në duar flamuj rumunë. Mediat rumune citohen të kenë thëne se “kjo është protesta më e madhe në Bukuresht deri tani". Sipas disa vlerësimeve, 200.000 njerëz u mblodhën në Bukuresht dhe 400.000 në të gjithë Rumaninë.
Por, pavarësisht presionit popullor në rritje, kryeministri rumun, Sorin Grindeanu, deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë për të përgatitur një projektligj që do të dërgohet në parlament.
Kryeministri kërkoi gjithashtu nisjen sa më parë të një diskutimi publik me të gjitha partitë politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile mbi elementët e diskutueshëm të dekretit që provokoi protesta masive në të gjithë vendin. Ndërkohë, edhe BE kishte paralajmëruar Rumaninë që nuk duhet të bënte hapa prapa në luftën kundër korrupsionit.
