Trump sulmon gjyqësorin: nëse ndodhin sulme, është faji i tyre
Vetëm pak ditë pasi Gjykata Federale e Seattle-it e hodhi poshtë si antikushtetues urdhrin ekzekutiv të presidentit, Donald Trump...

Vetëm pak ditë pasi Gjykata Federale e Seattle-it e hodhi poshtë si antikushtetues urdhrin ekzekutiv të presidentit, Donald Trump, për bllokadën e emigrantëve, lideri i Uashingtonit ka lëshuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit gjyqësor në vend, duke u shprehur se në rast se diçka e keqe do të ndodhë në vend, qytetarët duhet të fajësojnë gjykatat e Shteteve të Bashkuara.
Në një kohë kur masat ekstreme të kontrollit nuk po aplikohen, Trump u ka bërë thirrje oficerëve të policisë që të kontrollojnë me kujdes çdo person që hyn në Shtetet e Bashkuara. Numri një i Uashingtonit ka shprehur bindjen se presidenca do ta fitojë çështjen gjatë apelimit të saj.
Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara do të japë vendimin e saj, nga i cili do të përcaktohet nëse vendi do të vijojë të mbetet nën masa të rrepta sikurse parashikon urdhri ekzekutiv i firmosur nga presidenti Trump, apo nëse ky udhëzim do të shfuqizohet mbi bazën e anti-kushtetutshmërisë.
Trump arsyetoi urdhrin e tij si përpjekje për të rikthyer në vend sigurinë, që sipas presidentit ka humbur prej kohësh. Këto masa janë kundërshtuar nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve amerikanë, të cilët kanë protestuar në shtete të ndryshme amerikane. Protesta ka pasur edhe në vende të tjera të botës.
