Botë

Turqia i shpall “luftë” ISIS-IT, në një javë arrestohen 820 terroristë të dyshuar

06.02.2017 14:54

Turqia i ka dhënë një “grusht” të fortë organizatës terroriste të ISIS-it në operacionin më të madh anti-terrorist të organizuar kundër xhihadistëve të dyshuar...

Ministria turke e Punëve të Brendshme njoftoi sot se 748 persona të dyshuar janë arrestuar vetëm të dielën gjatë një super-operacioni në 29 provinca të Turqisë, përfshirë Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin.
 
72 të dyshuar të tjerë janë arrestuar përgjatë javës së kaluar, duke e çuar numrin total të të arrestuarve në 820. Shumica e të arrestuarve janë shtetas të huaj. 
 
Turqia ka qenë në objektiv të sulmeve terroriste të ISIS-it shumë herë. I fundit ishte sulmi i natës së Vitit të Ri në Klubin Reina, ku 39 persona mbetën të vdekur teksa festonin.
 
Ushtria turke po ashtu po lufton kundër terroristëve të ISIS-it në qytetin e Al-Bab-it në Siri, ku janë vrarë të paktën 48 ushtarë turq.