Maqedoni
Jankullovska u thirr për të dëshmuar në PPS, akuzoi se PPS është vënë në funksion të LSDM-së
06.02.2017 15:24
Prokuroria Speciale Publike nuk ka kredibilitet për asnjë lloj procedure të lidhur me drejtësinë...

Prokuroria Speciale Publike nuk ka kredibilitet për asnjë lloj procedure të lidhur me drejtësinë, por është shndërruar mjet në funksion të Lidhjes Socialdemokrate gjithmonë kur ata kanë nevojë për ta arritur ndonjë qëllim të caktuar. Kështu është shprehur ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankuloska, pas përfundimit të dëshmisë së saj në Prokurorinë Speciale Publike.
“Në periudhën e afrimit të zgjidhjes së krizës politike, Zoran Zaev ka nevojë për ndihmë. Sa herë që Zoran Zaev ka nevojë për ndihmë, këtu është Prokuroria Speciale Publike që të dalë me diçka që ata vlerësojnë se shkon në favor të opozitës, gjegjësisht se përmirëson pozitën e Zoran Zaevit. Qytetarët e Maqedonisë e kanë të qartë se kjo është një përballje politike me ata që kanë mendim ndryshe nga LSDM, me kundërshtarët e Zoran Zaevit, i cili përsëri u fal nga PSP-ja”,- deklaroi ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Jankullovska nuk bëri të ditur se për çfarë ishte thirrur në Prokurorinë Speciale që të japë dëshminë e saj, por vetëm shkurt tha se nuk është procedurë e re. Nga PPS njoftuan se Gordana Jankullovska është ftuar si e dyshuar në hetimin për mashtrime zgjedhore të përfshira në hetimet e lëndës ”Titanik”.
Ish ministrja e Punëve të Brendshme u thirr në këtë prokurori si e dyshuar në hetimin “Titanik”. Së bashku me përfaqësuesit e saj ligjor kanë kërkuar qasje në provat për hetimin “Titanik”, prandaj edhe një herë do të thirret për të njëjtin rast për shqyrtimin e provave, thanë nga PPS.
Ndryshe, Jankullovska është përfshirë në hetimet e lëndëve ”Titanik”, “Fortesa”, “Tanku”, por deri më tani nuk është ngritur aktakuzë kundër saj.
SANIJE DURAKU
