MAQEDONI
BDI: Të marrin fund sulmet ndaj familjes Zeqiri
13.05.2014 18:52
Pas sulmit të djeshëm me granata dore ndaj familjes Zeqiri në lagjen Radishan të Shkupit...

Pas sulmit të djeshëm me granata dore ndaj familjes Zeqiri në lagjen Radishan të Shkupit, Ministria e Punëve të Brendshme akoma nuk ka dalë me informacione rreth sulmuesve të mundshëm apo motiveve për hedhjen e lëndës shpërthyese në oborrin e kësaj familje.
Dje nga MPB-ja vetëm u njoftua se ka shpërthyer një bombë në shtëpinë e familjes Zeqiri dhe se nuk ka të lënduar.
Ndërkohë sot zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se pas sulmit të djeshëm BDI ka angazhuar strukturat e saj në polici, që sa më shpejt të marrin fund sulmet ndaj kësaj familjeje dhe autorët të nxirren përpara drejtësisë. Osmani shpreson se autoritetet policore së shpejti do ta zbardhin rastin.
“I dënojmë ashpër këto sulme. Dje kemi mobilizuar të gjitha strukturat tona në kuadër të institucioneve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të zbardhur motivet e asaj që po ndodh me këtë familje në lagjen e Radishanit, por edhe për t’u garantuar sigurinë atyre konkretisht, familjes së tyre dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë zonë”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Ndaj sulmeve të familjes Zeqiri ka reaguar edhe OJQ “CIVIL”.
”Është e qartë se këto sulme janë të planifikuara dhe synojnë përhapjen e frikës mes popullatës. Sulmi me bomba dhe të shtëna mbi shtëpinë e familjes Zeqiri, duke pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin, janë akt terrorizmi dhe si i tillë ai duhet të trajtohen nga ana e institucioneve”, thuhet në reagimin e “Civil”.
Edhe pse anëtarët e familjes Zeqiri të mbetur në shtëpi, paralajmëruan se sot do të zhvendoseshin para Ambasadës Amerikane në Shkup, një gjë e tillë nuk ndodhi.
20 anëtarët e familjes Zeqiri në frikë ende vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre në lagjen Radishan të Komunës së Butelit dhe vazhdojnë të presin zbardhjen e rastit nga autoritetet kompetente, ndërsa disa pjesëtarë të kësaj familje për shkaqe sigurie janë larguar në Gjermani.
SANIJE KASAMI
