Shënohen 18 vjet nga Konferenca e Rambujesë
Sot mbushen plot 18 vite nga mbajtja e konferencës së Rambujesë....

Sot mbushen plot 18 vite nga mbajtja e konferencës së Rambujesë, e cila synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë. Iniciues të konferencës, e cila zgjati plot 18 dite, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetësues ishin Christopher Hill nga ShBA-të, Boris Maiorsky nga Rusia dhe Wolfgang Petritsch nga BE.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Pas kësaj, menjëherë në datën 15 mars të vitit 1999 filloi rrethi i dytë i bisedimeve në Paris, i cili përfundoi pa sukses.
Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Pala kosovare kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar një projektmarrëveshje politike, e cila nënkuptonte marrëveshje për vetëqeverisjen në Kosovë. As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të ShBA-ve, Richard Holbrooke, nuk ishte i suksesshëm për harmonizimin e qëndrimeve rreth zgjidhjes së krizës në Kosovë.
Holbrooke nuk arriti ta bind presidentin e atëhershëm të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqin, të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtarë.
Dhe më 24 mars të vitit 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarakë dhe paramilitarë të Serbisë. Bombardimet 13-ditore përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, që parashihte tërheqjen e trupave jugosllavë nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësorë ndërkombëtarë.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 12/44 me të cilën u vendos protektorat, prania ndërkombëtare në Kosovë, pra të UNMIK-ut, si mision civil edhe i KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt të 2008-ës, Kosova shpalli pavarësinë. (Merita Gashi, TVM2)
