Nuhiu: Donacioni gjerman përforcon kapacitetin e policisë, Althauzer: Do të mbështesim policinë edhe me trajnime
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka marrë donacion nga Gjermania....

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka marrë donacion nga Gjermania me vlerë prej 60 mijë eurosh, që do të shërbejë për nevojat e policisë kufitare. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, tha se donacioni i sotëm i katër automjeteve të markës "Daçia Daster" nga Ministria Federale e Republikës së Gjermanisë do të mundësojë përforcimin e kapaciteteve teknike të policisë kufitare.
“Donacioni i sotëm prej rreth 60 mijë euro dedikuar për përforcimin e kapaciteteve teknike të policisë kufitare me qëllim të funksionimit më të lehtë të saj, sipas standardeve bashkëkohore, profesionale dhe ballafaqimit më të lehtë me sfidat në luftën kundër kërcënimeve ndërkombëtare dhe krimit ndërkufitar në pajtim me praktikën pozitive të BE-së”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Sipas ambasadores së Gjermanisë në Maqedoni, Kristina Althauzer, automjetet e dhuruara paraqesin simbol të punës së deritanishme të frytshme në mes dy vendeve.
“Kjo ndihmë është pjesë nga plani vjetor i cili është dakorduar mes policive tona. Krahas pajisjeve teknike, ai gjithashtu përfshin edhe trajnime në më shumë sfera, mes të cilave trajnim për kontroll të dokumenteve dhe shoferëve, kontroll kufitar, përpilim dhe analizë dhe siguri në qarkullimin ajror”,- theksoi ambasadorja e Gjermanisë, Kristina Althauzer.
Sipas ambasadores Althauzer, këtë vit do të zbatohen gjithsej shtatë trajnime, ndërsa ky bashkëpunim bilateral i policisë kufitare do të vazhdohet dhe intensifikohet edhe në vitin 2017. (Besim Abdullahu, TVM2)
