Ndotja e ajrit, transporti publik në Shkup prej nesër pa pagesë

06.02.2017 17:10

Transporti publik në Shkup prej të martën do të jetë pa pagesë...

Ky vendim i autoriteteve të kryeqendrës vjen si masë për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit dhe do të mbetet në fuqi deri në uljen e ndotjes në nivelin e lejuar.

Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, tha se përveç transportit publik pa pagesë, Qyteti i Shkupit së bashku me komunat e tjera dhe me “Higjienën komunale” do të ndërmarrin edhe masa tjera të nevojshme, si pastrim të rrugëve dhe bulevardeve.

Ai njëherit apelon deri te të punësuarit në Qytetin e Shkupit që në punë të shkojnë me autobus, ndërsa automjetet zyrtare do t’i shfrytëzojë vetëm Inspektorati i qytetit.

“Nëse kushtet e motit na lejojnë, Qyteti i Shkupit do të vazhdojë t’i spërkasë rrugët e qytetit me kalcium acetat dhe magnezium dhe për këtë kemi automjete dhe mjete të mjaftueshme. Në pajtim me ligjet ekzistuese nuk mund të vendoset masa çift-tek. Apeloj të ndryshohet ligji, me çka do të mundësohet vendosja e kësaj mase në Qytetin e Shkupit. Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrjet publike do t’i lirojnë nga puna personat mbi moshën 60 vjeç, të sëmurit kronik, si dhe gratë shtatzëna”,- deklaroi kryetari i Qyteti të Shkupit, Koce Trajanovski.

Qyteti i Shkupit vazhdon të jetë më i ndotur, pastaj Kavadari, Kumanova, Tetova dhe  Kërçova. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)