Maqedoni

Kriza politike, Ambasada ruse: Zgjidhja të dalë nga kushtetuta; Han të enjten në Shkup, do të takojë liderët

06.02.2017 17:36

Ambasada ruse në Maqedoni ka apeluar për gjetjen e zgjidhjes për daljen e vendit nga krizës aktuale politike...

Nga ambasada ruse zgjidhjen e shohin në kuadër të kushtetutës aktuale, në bazë të normave të pranuara në përgjithësi të një shoqërie demokratike.
 
Të gjitha tentimet për involvim në këtë proces prej jashtë, të imponohen vendime të këtilla ose të atilla krahas vullnetit të popullit të Maqedonisë, janë shumë të rrezikshme dhe duhet të hidhen poshtë nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare, theksojnë nga ambasada.
 
“Parimet e barazisë sovrane të shteteve, ndërsa mosinvolimi në punët e brendshme të vendeve të tjera janë të karakterit universal dhe mosrespektimi i tyre paraqet shkelje të ashpër të së drejtës ndërkombëtare”,- vlerësojnë nga Ambasada ruse në Maqedoni.
 
Njëkohësisht, Ambasada ruse i cilëson si kontraproduktive, siç thonë, spekulimet e disa politikave të cilat kërkojnë shkaqe të krizës së brendshme politike në Maqedoni në rivalitet mes fuqive të mëdha. 
 
Ndërkohë, është paralajmëruar se eurokomisari, Johanes Han, të enjten në Shkup do të realizojë takime me liderët e partive parlamentare. Nuk përjashtohet mundësia që ai të takojë edhe presidentin Ivanov. Ky është takimi i tij i parë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Vizita e tij vjen në kohën kur po zhvillohen bisedime për formimin e qeverisë dhe formim të shumicës parlamentare.
 
Para do kohe në fjalimin e tij në Këshillin e Europës, Han tha se pret nga Maqedonia të formojë shpejt qeveri të mbështetur nga shumica e zgjeruar parlamentare, e cila do të zbatojë reformat urgjente për t’i hapur perspektivat europiane të vendit. Partitë politike kanë vërtetuar se do të marrin pjesë në takimet me Han për t’ia përcjellë pozicionet partiake.
 
MERAL ISMAILI