Bisedimet për qeverinë e re, BDI dhe LSDM fillojnë negociatat
BDI dhe LSDM kanë filluar bisedimet për qeverinë e re. Takimi u mbajt jashtë selive të partive, njofton TVM2....

Palët zgjodhën si ambient neutral hotelin “Holidej IN”. Në emër të LSDM-së po negocion zëvendëskryetarja, Radmilla Shekerinska, sekretari i përgjithshëm, Oliver Spasovski, dhe Renata Deskoska, ndërsa BDI-në e përfaqësojnë tre nënkryetarët e saj, përkatësisht Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta. Palët e vlerësuan takimin si konstruktiv.
“BDI është një parti politike e cila gjithmonë ka qenë e hapur për të diskutuar dhe për të pasur bisedime konstruktive për sa i përket temave dhe prioriteteve të qytetarëve. Për ne ajo që është e rëndësishme është se vendosëm në tryezë prioritetet që lidhen me platformën partive politike shqiptare dhe pikat e panegociueshme: gjuha shqipe, realizimi i reformave në drejtës, integrime në NATO dhe BE. Vlerësimet përfundimtare do t’i sjellë kryesia e BDI-së në krye me Ali Ahmetin”,- tha Teuta Arifi nga BDI.
Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, pas takimit me përfaqësues të BDI-së, tha se në takim është folur për çështje konstruktive, si Maqedonia të del nga kriza, raporton TVM2.
“Me BDI-në kemi biseduar se si shteti të dalë nga situata e cila u imponua nga presidenti, Gjorge Ivanov. Këto bisedime do të vazhdojnë në trupat partiak deri në takimin e ardhshëm, ku do të diskutohet për gjëra më konkrete”,- theksoi Radmilla Shekerinska nga LSDM.
Negociatat për qeverinë e re mes LSDM-së dhe BDI-së po zhvillohen pas takimit te presidenti i Republikës, i cili deklaroi se mandatin do t’ia dorëzojë kandidatit potencial për mandatar, i cili do t’i dëshmojë se ka siguruar mbështetjen e 61 deputetëve.
Në parim, LSDM ka mbështetjen e Lëvizjes “Besa” dhe atë të “Aleancës për shqiptarët”. Burime brenda LSDM-së thonë se në bisedime fillimisht duhet të sigurohet shumica në Kuvend, e më pas të negociohet për qeverinë, ndërsa burime brenda BDI-së thonë se shumica dhe qeveria duhet negociuar në pako.
Paraprakisht, mandatari, Nikolla Gruevski, nuk ia doli të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare dhe në afatin kushtetues prej 20 ditë t’i propozojë Kuvendit kabinetin qeveritar dhe programin për qeverisje. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
