MAQEDONI

32 të lënduar nga përplasja e trenit me një autobus

13.05.2014 18:58

Të paktën 32 persona janë lënduar në një aksident të rëndë të trafikut që ndodhi mëngjesin e sotëm...

Të paktën 32 persona janë lënduar në një aksident të rëndë të trafikut që ndodhi mëngjesin e sotëm, ku janë përplasur treni dhe një autobus i kompanisë “Strumica Ekspres”. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të pompës së benzinës "Miki Petrol" në rrugën Shtip–Veles, ndërsa të lënduarit janë kryesisht udhëtarë që po udhëtonin me autobus.
 
16 të lënduar janë dërguar në spitalin e Shtipit, 11 prej të cilëve kanë pasur nevojë për intervenime në repartin e kirurgjisë, por gjendja e tyre është stabile. Po ashtu edhe 16 nga të lënduar në aksident janë dërguar në spitalin e Velesit, prej ku siç informojnë nga ky spital, tre persona me lëndime më të rënda janë dërguar në Shkup. 
 
“Në mëngjesin e sotëm rreth orës 7 e 30 janë sjellë rreth 16 pacient. Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe do të dërgohen në Shkup. Njëra paciente është në sindromë të rëndë emocionale, një tjetër pacient është lënduar në boshtin kurrizor, gjithashtu edhe një pacient është lënduar në bërryl dhe brinjë dhe të njëjtit do të dërgohen në spitalin e Shkupit, ndërsa dy nga 16 të lënduarit janë trajtuar në ambulancë. Pjesa më e madhe është vendosur në repartin e kirurgjisë dhe një shtatzënë është vendosur në repartin e gjinekologjisë”, deklaroi zëdhënësja e spitalit të Përgjithshëm në Veles, Sillvana Mishkova.
 
Në qendrën urgjente në Shkup kanë kërkuar ndihmë mjekësore 6 të lënduar në aksident, njëri prej të cilëve është lëshuar për kurim shtëpiak, ndërsa 5 të tjerët janë të shtrirë në spital.
 
“Gjendja momentale e pacientëve që janë pranuar në repartin intensiv dhe në traumatologji, është stabile. Te një pacient janë vërejtur fraktura të nyjës së dorës dhe dy të tjerë janë në traumatologji, njëri ka frakturë të gjurit të majtë, ndërsa tjetri lëndim të shtyllës kurrizore”, u shpreh drejtori i Klinikës së Traumatologjisë në Shkup, Rexhep Selmani.
 
Sa i përket shkakut të aksidentit, nga hekurudhat e Maqedonisë kanë hedhur po ashtu mundësinë që të jetë signalizimi në hekurudhë shkas për aksidentin, pasi që sinjalizimi ka qenë funksional, por nuk është respektuar nga shoferi i autobusit. 
 
Personat e lënduar që janë shtrirë në Qendrën Urgjente në Shkup. janë vizituar edhe nga Ministri i Shëndetësisë dhe ai i Transportit, Nikolla Todorov dhe Mile Janakievski.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI