Maqedoni
Albert Hani: Vendi, peng i egove të subjekteve politike; Ylber Sela: Me rëndësi platforma dhe kursi euroatlantik
06.02.2017 17:59
Vendit nuk i nevojitet zvarritje, por formim sa më i shpejtë i kabinetit të ri qeverisës...

Vendit nuk i nevojitet zvarritje, por formim sa më i shpejtë i kabinetit të ri qeverisës, në mënyrë që të fillohet me zgjedhjen e problemeve me interes për qytetarët, vlerëson analisti politik, Albert Hani.
Veç kësaj, mandatari i radhës duhet të pranojë platformën shqiptare dhe ndjekjen e kursit euroatlantik, shton analisti politik, Ylber Sela.
“Mendoj se shteti është lënë peng i epsheve dhe egove të cilat u shfaqën në mesin e partive politike, sidomos në lidershipin dhe në njëjtën kohë mendoj që shteti ka nevojë për formim të një qeverie sa më shpejt, qeveri efikase e cila do të mund t’i zgjedh çështjet për interes, çështjet për të cilat vetë qytetarët kërkuan që të zgjidhen gjatë votimeve më 11 dhjetor”,- deklaroi analisti politik, Albert Hani.
“E rëndësishme është që të pranohet platforma shqiptare dhe shteti të marrë kahjen e integrimit euroatlantik. Këto janë dy çështje mjaft të rëndësishme dhe besoj se ai i cili do të marrë përgjegjësinë që t’i bëjë këto dy çështje besoj se edhe mund ta krijojë qeverinë e ardhshme të RM-së”,- theksoi analisti politik, Ylber Sela.
Hani dhe Sela besojnë se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të sërishme. Një gjë e tillë, sipas Hanit, do të përbënte një precedencë, pasi që do të mund të përsëritej sa herë që nuk do t’i pëlqenin rezultatet një partie të caktuar politike, ndërsa kostoja e tyre do të shkonte mbi kurrizin e qytetarëve, thotë Sela.
“Shpresoj se partitë politike si dhe liderët të cilët vendosin në moment nuk janë duke menduar për zgjedhje të parakohshme ose ripërsëritjen e zgjedhjeve meqenëse vlerësoj se kjo do të kishte qenë një presedan i madh për këtë shtet, presedan i cili do të nënkuptonte se fituesi i cili nuk do të ishte i kënaqur nga rezultatet do të kërkojë prapë që zgjedhjet e njëjta të ripërsëriten”,- u shpreh analisti politik, Albert Hani.
“Shteti nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sepse kjo do të ishte një katastrofë ekonomike dhe ata të cilët do të pësonin më shumë do të ishin qytetarët e RM-së, të cilët me vite të tëra po pësojnë nga këto politika të mbrapshta që po zhvillohen në shtetin tonë”,- theksoi analisti politik, Ylber Sela.
Sa ma shumë do të zgjaten negociatat për krijimin e qeverisë, shtohen mundësitë për thellim të krizës politike, nënvizojnë analistët.
NAIM RAMADANI
